Kryeministri sllovak, Robert Fico ka thënë se ai është i gatshëm për t’u dorëhequr nëse presidenti pranon që koalicioni aktual të vazhdojë qeverisjen pa mbajtur zgjedhje të parakohshme, transmeton BBC.

Fico ka thënë se ai është gati të prezantojë një kandidat për kryeministër nga partia e tij.

Deklarata e tij vjen pas skandalit të shkaktuar nga vrasja e gazetarit sllovak, Jan Kuciak dhe të dashurës së tij, Martina Kusnirova. Kuciak ishte duke hetuar korrupsionin qeveritar kur është vrarë.

“Sot kam ofruar dorëheqjen time te presidenti i republikës”, ka thënë Fico në një konferencë për media.

“Nëse presidenti pranon, jam i gatshëm të dorëhiqem nesër”, ka shtuar ai./

REL