Tetë vite nga vrasja e Gentian Beqirit dhe babait të tij, është arrestuar një person i tretë. Olsi Leka alias Jorgo Leku, u kap në Greqi mbrëmjen e së premtes së 9 Tetorit.

41-vjeçari u arrestua falë një informacioni që autoritetet shqiptare shkëmbyen me homologët grekë. Sipas këtij informacioni që ishte marrë në rrugë operative, thuhej se i dyshuari Olsi Leka strehohej në një shtëpi të marrë me qira në lagjen Kyfisia në Athinë. Ky informacion u analizua nga policia greke dhe pas përpunimit rezultoi të ishte i saktë.

Olsi Leka u mbajt nën monitorim nga agjentët grekë, të cilët kishin shkuar në adresën e banimit që ishte dhënë në informacionin e përcjellë nga Tirana.

Brenda një kohe të shkurtër, autoritetet greke finalizuan arrestimin e 41-vjeçarit të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ai u vu në pranga mbrëmjen e 9 Tetorit në Athinë. “Operacioni u finalizua me sukses, i dyshuari u kap”, ishte ky mesazhi që mbërriti nga Policia Greke për homologët shqiptarë në Tiranë.

Olsi Leka alias Jorgo Leku pritet të ekstradohet në Shqipëri për t’u përballur me akuzat që rëndojnë ndaj tij. 41-vjeçari u shpall në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Elbasanit vendosi arrest në burg në mungesë më 12 Qershor 2020. Ai akuzohet për vrasje në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave të kryer në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje.

Olsi Leka është njëri nga personat e arrestuar dhe akuzuar për vrasjen e Gentian Beqirit në Elbasan më 15 Gusht të vitit 2012. Dy personat e tjerë të arrestuar para më shumë se 1 viti për këtë ngjarje janë Etjen Cani dhe Ervis Bardhi.

Gentian Beqiri, i njohur edhe me identitetin Ardian Meta, ishte në banesën e tij në lagjen “Çlirimi” në Elbasan nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe ruhej nga dy punonjës policie kur u ekzekutua me armë. Dy persona u ngjitën në katin e pestë të banesës Beqiri dhe trokitën në derë. Porta u hap nga Nezir Beqiri, i ati i Ardian Beqirit, pasi ai kishte njohje me njërin prej tyre. Por nuk e mendonte se atë ditë, ky person i njohur për të i kishte shkuar në banesë për t’i vrarë djalin.

Sapo hynë brenda, njëri nga autorët goditi dhe dhunoi të moshuarin Nezir Beqiri pasi ky i fundit nisi të bërtiste. Goditjet dhe mbytja me jastëk i shkaktuan atak kardiak Nezir Beqirit, duke bërë që të humbiste jetën. Ndërsa autori tjetër iu drejtua dhomës së gjumit, ku ishte duke fjetur shënjestra e tyre, Gentian Beqiri. 40-vjeçarin e ekzekutuan në gjumë me pistoletë me silenciator duke e qëlluan me disa plumba. Më pas dy autorët u larguan qetësisht nga banesa.


Këta persona ishin Olsi Leka dhe Ervis Bardhi. Dinamika e ngjarjes është zbardhur nga vetë Ervis Bardhi, i cili është i arrestuar nga policia dhe tashmë është bashkëpunëtor i prokurorisë. Ai ka treguar për hetuesit se hynte dhe dilte shpesh në banesën e Gentian Beqirit, të cilin e kishte njohur nga Etien Cani.

Ervis Bardhi ka thënë se Etien Cani qëndronte në makinë dhe sinjalizoi atë dhe Olsi Lekën se mamaja e Gentian Beqirit kishte dalë nga banesa, kurse dy policët roje që qëndronin në pallat, ishin futur në automjetin e tyre. Ervis Bardhi dhe Olsi Leka përfituan nga ky moment dhe u futën në pallat. Bardhi ishte personi që qëndroi përpara derës së banesës Beqiri, ndërsa Olsi Leka rrinte disa shkallë më poshtë për të mos u dukur. Kur Nezir Beqiri e pa nga syri magjik që ishte Ervis Bardhi, hapi derën dhe e la të hynte brenda. Pas tij u ngjit menjëherë Olsi Leka, i cili dhunoi për vdekje Nezir Beqirin. Në dëshminë përpara prokurorisë, Ervis Bardhi ka pranuar se është ai personi që ekzekutoi me pistoletë Gentian Beqirin.

Pasi përfunduan “porosinë”, të dy dolën qetësisht nga banesa dhe u larguan me makinën që i priste disa metra më tutje dhe drejtohej nga Etien Cani.

Vrasja e Gentian Beqirit dhe babait të tij u zbulua nga dy policët roje, të cilët pasi u ngjitën në katin e pestë panë se çfarë kishte ndodhur brenda banesës.

Fillimisht u pohua se të dyshuar për krimin ishin Florenc Çapja dhe Arben Jaçe, kjo bazuar dhe në dëshminë fillestare të dy policëve, por këta të fundit u tërhoqën nga dëshmia dhe u dënuan me 6 vite burg për shpërdorim detyre dhe dëshmi të rreme.

Por, në deklaratën që ka dhënë i penduari dhe bashkëpunëtori Ervis Bardhi, ka thënë se për të kryer këtë ekzekutim ishin porositur nga anëtarë të fisit Çapja, madje ka përmendur edhe emra. Kjo është njëra nga pistat ku po hetohet për shkak të ngjarjeve kriminale që kanë ndodhur ndër vite.

Bashkëpunëtori i drejtësisë dhe ekzekutori Ervis Bardhi ka qenë i arrestuar edhe në Qershor të vitit 2013 pasi u kap duke transportuar 500 kilogramë kanabis me furgon. Bashkë me të ishte edhe Gentian Malindi, ky i fundit i përfshirë edhe në sasinë prej 137 kg kokainë të kapur më 27 Shtator 2019 në Portin e Durrësit.

Gentian Beqiri ka qenë i dyshuar si i përfshirë në vrasjen e Sokol Çapjes në vitin 2005. Për këtë arsye, ai qëndronte prej 2 vitesh në arrest shtëpie pasi kishte dalë nga burgu ku kishte kryer disa vite. /tvklan.al