Vrasja e gjyqtares Fildes Hafizi mund të ishte parandaluar, thotë Partia Demokratike, nëse shteti do të kishte vepruar siç duhet.

Në një njoftim për mediat, PD thotë se vrasësi i gjyqtares nuk do të kishte dalë nga burgu nëse nuk do të kishte përfituar nga amnistia apo nëse policia do të kishte mbrojtur të ndjerën, e cila kishte kërkuar disa herë urdhër-mbrojtje pasi ishte dhunuar.

 Për këtë ngjarje, PD i drejton 4 pyetje qeverisë dhe thotë se do të bëjë një propozim në Parlament, që personat e dënuar për vrasje mos të përfitojnë amnisti.

 Deklarata e Partisë Demokratike:

Vrasja e gjyqtares Fildes Hafizi nuk do të kishte ndodhur nëse krimineli nuk do të favorizohej nga vep​rimet e papërgjegjshme të shtetit. Nëse krimineli nuk do të ishte liruar nga një amnisti skandaloze apo nëse policia do t’i kishte dhënë gjyqtares mbrojtjen që i njeh ligji çdo qytetari, ajo sot do të jetonte. Ne nuk mund ta lëmë të kalojë në heshtje këtë krim, vetëm për të pritur krimin e radhës.

Qeveria duhet të japë llogari:

Pse Edi Rama ka ofruar çdo vit amnisti masive, gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë?

Pse amnistitë e tij kanë përfshirë ulje dënimi dhe lirim të kriminelëve që kanë kryer vrasje apo tentuar të kryejnë vrasje?

Pse policia nuk i ofroi mbrojtje gjyqtares Hafizi kur ajo e kërkoi më shumë se një herë?

Pse nuk vepruan për parandalimin e tragjedisë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe Drejtori i Krimeve në Policinë e Shtetit, të cilët u takuan personalisht nga gjyqtarja ku ajo kërkoi ndihmën e tyre?

Partia Demokratike do të propozojë në fillim të legjislaturës së re një ligj i cili ndalon në çdo rrethanë uljen e dënimeve për vrasje dhe amnistimin e tyre. Ne do të propozojmë edhe ashpërsimin e dënimit për ata që ushtrojnë dhunë në familje, si dhe rritjen e mbrojtjes për viktimat e kësaj dhune. Ndërkohë, Partia Demokratike i kërkon qeverisë të rishikojë me urgjencë procesin e ofrimit të mbrojtjes nga shteti, për të shmangur mundësinë e injorimit të qytetarëve që u kërcënohet realisht jeta.

/tvklan.al