Fadil Kasemi, autori i vrasjes së ish- bashkëshortes së tij, Fildeze Hafizi, do të përballet të dielën në mesditë në Gjykatën e Krimeve të Rënda me së paku tri akuza.

Sipas prokurorisë që ka mbyllur hetimet paraprake dhe ka dërguar dosjen në gjykatë, ai do të akuzohet për “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, “armëmbajtje pa leje”, si dhe “rrëmbim personi”. Në kërkesën për ta lënë në burg pa afat si masë sigurie, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka bërë edhe një kronologji të ngjarjes së rëndë të së enjtes.

Në dosjen e prokurorisë thuhet se Fildeze Hafizi, sapo kishte dalë nga një parukeri dhe ishte drejtuar makinës që kishte parkuar përballë, siç shihet edhe në skemën grafike të ndërtuar nga Tv Klan. Ish-bashkëshorti 53-vjecar i është afruar me pistoletë në dorë dhe ka qëlluar në drejtim të saj dy herë duke e lënë të vdekur në vend. Pas krimit, Kasemi po me armë në dorë ndaloi një furgon të rastit që po udhëtonte drejt rrugës Bardhyl. Këtij të fundit i ka thënë se kishte vrarë bashkëshorten e tij. Duke e kërcënuar, i kërkoi shoferit ta largonte nga vendi i ngjarjes.

Shoferi i furgonit përshkoi rrugën “Arkitekt Kasemi” dhe më pas rrugën “Vllazën Huta” që të dërgon tek komisariati nr.1, duke futur menjëherë në oborr veturën. Aty janë afruar menjëhërë punonjësit e policisë, të cilët ndaluan në flagrancë autorin e vrasjes duke i hequr pistoletën që mbante në duar. Kasemi nuk pranoi të flasë për rrethanat e ngjarjes as në prani të mbrojtësit të tij, ndërsa iu komunikua arresti në flagrancë. Tv Klan

Njoftimi i plotë i Prokurorisë:

Prokuroria për Krime të Rënda ka dërguar mesditen e sotme në gjykatë kërkesën për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg’ për shtetasin Fadil Kasemi, për kryerjen e veprave penale të “vrasjes për shkak të marredhenieve familjare”, “armëmbajtje pa leje” dhe “rrëmbim personi”.

Nga studimi i materialit hetimor, rezulton se:

Më datë 31.08.2017, rreth orës 13:50, në rrugën “Xhanfize Keko”, Tiranë, në kohën që shtetasja Fildez Hafizi, banuese në Tiranë, njëkohësisht me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, ka dalë nga parukeria “S…..” dhe është futur brenda në automjetin e saj të parkuar aty pranë, benz me targa AA 880 OS, në këtë kohë është afruar ish bashkëshorti i saj, shtetasi Fadil Kasemi me një pistoletë në dorë dhe ka qëlluar me armë në drejtim të shtetases Fildeze Hafizi, duke e lënë të vdekur në vend. Më pas shtetasi Fadil Kasemi me psitoletën në dorë i ka dalë përpara një automjeti të rastit që po udhëtonte në drejtim të rrugës Bardhyl, automjetit furgon benz mercedez, me targa XXXX, që drejtohej nga shtetasi K.T., të cilit i ka thënë se kishte vrarë bashkëshorten e tij dhe nën kërcënimin e armës i ka kërkuar atij që ta largonte nga vendi i ngjarjes duke hypur brenda në automjet. Gjatë udhëtimit shtetasi K.T.ka përshkuar rrugën që të dërgonte pranë Komisariatit të Policisë nr.1 Tiranë. Në kohën që i është afruar Komisariatit shtetasi K.T. e ka futur menjëhërë automjetin e tij brenda në ambjentet e Komisariatit të Policisë ku në këtë moment janë afruar menjëhërë punonjësit e policisë, të cilët kanë ndërhyrë dhe kanë bërë kapjen në flagrancë të shtetasit Fadil Kasemi duke i hequr armën pistoletë që mbante në duar.

I pyetur për faktin e ngjarjes, personi i arrestuar Fadil Kasemi, në praninë e një mbrojtësi kryesisht, pasi është njohur me letrën e të drejtave si person i arrestuar, ai nuk ka pranuar të flasë për faktin dhe rrethanat e ngjarjes.

Në keto kushte, nga ana e Prokurorise per Krime të Renda kërkohet:

Të caktohet ndaj htetasit Fadil Kasemi masa e sigurimit “

arrest në burg”

, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, parashikuara nga nenet 79/c dhe 278/1 dhe 109/1 të Kodit Penal.

Tv Klan