Gjyqtarja e Shkodrës Fildes Hafizi u vra sot brutalisht në mes të rrugës nga ish-bashkëshorti, ndërsa ngjarja ka tronditur të gjithë opinionin publik.

Ngushëllimet për Fildes Hafizin i ka shprehur edhe ish-deputetja e Shkodrës Mimoza Hafizi, e cila është e afërt me gjyqtaren e vrarë.

Në një status në facebook, Mimoza Hafizi shpreh dhimbjen për humbjen e kushërirës së saj. Ish-deputetja ndjen trishtim edhe për faktin që nuk do të mund të marrë pjesë në varrimin e gjyqtares pasi ndodhet jashtë Shqipërisë.

“Fildes Hafizin e vranë sot pabesisht. Ishte vajzë e rrallë. E donte shumë jetën, adhuronte fëmijët e prindërit, admironte profesionin, respektonte dijen, i përkushtohej karrierës, përbuzte injorancën, përçmonte apatinë, sfidonte stërmundimin. U diplomua juriste, magjistrate, gjykatëse duke rritur dy fëmijë. E thurri me mund ëndrrën e vet. Që sot ia prenë egërsisht.

Jam shumë larg e s’mund të shkoj t’i hedh një grusht dhé lamtumire. Me dhimbjen për vitet e pajetuara, me brengën e një vdekjeje që nuk e shmangëm dot, me jehonën e klithmave të saj për ndihmë, me revoltën ndaj sistemit që kemi ngritur.

Por e di se buzëqeshja e saj e bukur do çajë murin e zi të vdekjes për t’iu bërë dritë dy prindërve të mjerë e dy fëmijëve të dashur. Se iu duhet, që t’ia shohin kuptimin jetës edhe pa sytë e Desit.

Lamtumirë kushërira ime trime!”,

shkruan ish-deputetja Mimoza Hafizi.

/tvklan.al