Stjuart Smakaj: Nuk doja të qëlloja shokun, e kapi plumbi gabimisht

Me lot në sy, Stjuart Smakaj ka pranuar se ka vrarë shokun e tij Gledis Kraja dy ditë më parë në Shkodër.

I riu është shprehur para policisë se nuk donte të qëllonte shokun, por Denis Halilin, personin që çoi mobiljet tek dy vëllezërit e tij, pas një sherri për parkimin.

Sipas Stjuart Smakaj, ai ka parë Denis Halilin të shkonte tek makina me mobilje dhe ka menduar se do merrte armë.

Në këtë moment edhe Smakaj ka shkuar për të marrë një automatik të modifikuar dhe ka qëlluar ndaj Denis Halilit.

“Unë doja të qëlloja Denis Halilin. Nuk e dija që shoku im Gledis Kraja, kishte shkuar pas Denis Halilit për të mos e lejuar të shkonte në makinë. Kur qëllova nuk e pashë Gledisin. E kuptova në momentin që ishte në tokë dhe i gjakosur. Jam u penduar. Nuk doja të vrisja shokun tim, e kapi plumbi gabimisht”.

Viktima Gledis Kraja ka shkuar për të ndihmuar shokun e tij Stjuart Smakaj në momentin që po konfliktohej me pronarin dhe shoferin e një mobilerie nga Fushë Kruja.

Në konflikt u përfshinë edhe vëllai i Stjuart Smakaj, Sebastian Smakaj, si dhe babai i tyre, të dy në kërkim nga policia.

Autori Stjuart Smakaj u vetëdorëzua ditën e djeshme në polici pasi vrau shokun dhe ishte në gjendje të rëndë psikologjike, sipas uniformave blu.

Viktima Gledis Kraja ishte një emër i njohur në Shkodër, pasi për disa vite kishte luajtur me disa skuadra futbolli.

Tv Klan