Ka nisur në Urbino seanca paraprake për vrasjen makabre të 17 – vjeçarit shqiptar, Ismail Lulli, i gjetur me fytin e prerë në një pyll në provincën e Sant’Anxhelos, në Vado të Pezaros, më 19 Korrik 2015.

Dy të rinjtë shqiptarë, Igli Meta, 21 – vjeç dhe Marjo Mema, 20 – vjeç, të akuzuar për vrasjen e bashkëkombësit të tyre, janë pritur sërish në rrugë me ulërima dhe sharje.

Gjykata italiane nuk ka lejuar mediat në sallë, gjithsesi gazetarët që prisnin jashtë kanë mësuar se gjatë seancës ka patur një të papritur.

Kështu, avokatët mbrojtës të 21 – vjeçarit Igli Meta, i cili e ka pranuar vrasjen, i kanë kërkuar trupit gjykues që ai të ripyetet, për shkak të daljes në dritë të disa provave të reja.

“Ka elementë që mund të përmbysin rrjedhën e ngjarjeve”,

 kanë thënë avokatët.

Këta të fundit mësohet se nuk iu përgjigjën pyetjes së trupit gjykues se, përse Igli po bën fajtor mikun e tij Marjo Mema.

Në këtë pikë ka qenë prokurorja e çështjes, e cila ka kërkuar që të dëgjojë variantin e ri, ndërsa avokati mbrojtës i Marjo Memës, ka refuzuar.

Sipas informacioneve, Igli Meta i ka thënë një tjetër variant avokatëve të tij, lidhur më ngjarjen e 19 Korrikut. Duke marrë parasysh këto të dhëna të reja, trupi gjykues ka vendosur që seanca e ardhshme të zhvillohet me 7 Qershor.

Historia

Igli Meta, 20 – vjeçari shqiptar i akuzuar për vrasjen makabre të 17 – vjeçarit, Ismail Lulli, në bashkëpunim me shokun e tij Marjo Mema, 19-vjeç, është penduar për krimin që ka bërë. Ndaj dhe ka pranuar të rrëfejë gjithçka, përpara hetuesve italianë.

Avokati i tij, Salvatore Asole tha për mediat italiane se Meta i ishte lutur t’u kërkonte falje nga ana e tij, familjarëve të viktimës dhe gjithë qytetit. Ai tha se nuk ishte qëllimi i tij t’a vriste 17-vjeçarin shqiptar. Kërkonte vetëm t’i jepte një mësim të mirë, siç shprehet ai. Por situata i kishte dalë jashtë kontrollit.

Ismail Lulli, sipas policisë italiane ishte ftuar nga dy shqiptarët e tjerë për t’u larë në lumë. Sapo zbritën nga makina ndaj tij nisi agresioni. Duke qenë më i madh në trup se ata, 1 metër e 80 centimetër i gjatë, agresorët e kanë goditur në befasi, fillimisht në kokë dhe me pas, Igli Meta i ka prerë fytin me thikë. Trupin e tërhoqën zvarrë dhe e hodhën në një rrëpirë, ku u gjet me duar dhe këmbë të lidhura.

Banorët e Sant’Anxhelos në Vado të Pezaros, në Itali, sulmuan automjetet e policisë, që transferuan dy të rinjtë shqiptarë drejt burgut të Pezaros, në shenjë revolte kundër krimit makabër.

Për 14 orë me radhë, Igli Meta dhe bashkëpunëtori i tij, Marjo Mema u morën në pyetje nga hetuesit italianë. Ata pranuan se krimin e kishin kryer për motive xhelozie. Ismail Lulli i kishte ngacmuar të dashurën Igli Metës, e cila më parë kishte qenë mikesha e tij. Viktima dhe dy shqiptarët ishin shokë klase./tvklan.al