Ngjarja e së dielës në Bularat sipas mediave greke po trajtohet me shqetësim nga qeveria greke. Zëdhënësi i saj Dimitris Tzanakopoulos i është përgjigjur Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama duke i kërkuar të jetë më i përmbajtur në deklarata.

“Në rastin kur flitet për një jetë të humbur duhen mbajtur tone të ulëta dhe nuk ka nevojë për agresivitet. Nuk duhet të nxitohet për të nxjerrë konkluzione dhe duhet të qëndrohet strikt në mesazhin e dërguar nga Ministria e Jashtme fill pas ngjarjes”.

E pranishme në ceremoninë e Bularatit ministrja greke e Kulturës, Mirsini Zorba hodhi poshtë versionin e mediave greke, sipas të cilave 35-vjeçari u vra për uljen e flamurit grek nga policia. Në festën përkujtimore për të rënët e luftës italo-greke, sipas saj u dëgjuan të dy himnet ku ishin prezentë përfaqësues të qeverisë greke dhe shqiptare.

Në Athinë të rinjtë e Vorio Epirit u organizuan pranë ambasadës shqiptare duke bërë homazhe me fotografinë e Konstandin Kaçifës. Pas himnit, ata lëshuan thirrjet “vrasës”.

Agimi i Artë organizoi një tubim protestë para ambasadës shqiptare në Athinë, ku morën pjesë eksponentët kryesorë të saj përfshi edhe kreun e saj, Mixalis Mihaliolakos. Kjo parti në një deklaratë të ditës së hënë e quan 35-vjeçarin etnomartir dhe thotë se ishte policia shqiptare që u përpoq të shkaktonte incidentin.

Edhe organizata ‘Omonia’ ka dalë me një deklaratë ku thekson shqetësimin e saj për ngjarjen duke nënvizuar se policia injoroi rregulloren për izolimin e një personi. Sipas saj, forcat policore duke anashkaluar rregullat e paralizimit të personit të vetmuar finalizuan ekzekutimin e tij. Ndërsa ish-kryetari i Omonias, Leonidha Papa, tha në një lidhje telefonike për televizionin Ant1 se vrasja e Kaçifas në shkëmbim zjarri mund të jetë e stisur nga policia shqiptare.

Tv Klan