Gjykata e Apelit ka lënë në burg Mario Meshinin, personi i dyshuar se nxorri në pritë Dëfrim alias Devi Kasmin, i cili u ekzekutua pranë shtëpisë së tij. Ngjarja ndodhi më 29 Janar në rrugën “Petro Cani” në Tiranë.

Avokati i Meshinit apeloi vendimin e Shkallës së Parë për të lënë të lirë klientin e tij, me argumentin se nuk ka lidhje me ngjarjen, pasi viktimën e kishte mik prej disa kohësh. Por, Apeli nuk pranoi këtë kërkesë dhe ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Mario Meshinin.

Ky i fundit i kishte dërguar mesazh në celular Dëfrim Kasmit për t’u takuar poshtë pallatit ku banonte viktima. Meshini ka thënë para hetuesve se në momentin që mbërriti me motor poshtë pallatit të Kasmit, aty ishin edhe vrasësit, të cilët qëlluan për vdekje 41-vjeçarin. Më pas, Mario Meshini shkoi në banesën e tij dhe jo në komisariat, duke argumentuar se ishte i tronditur nga vrasja dhe se ekzekutori i vendosi pistoletën në kokë duke e kërcënuar. Mirëpo kjo dëshmi e tij nuk e ka bindur Prokurorinë, e cila ka dyshime se Mario Meshini ka nxjerrë pikërisht në pritë Dëfrim Kasmin për t’u ekzekutuar.

Në fillim të shkurtit, Policia e Tiranës arrestoi ish-policin grek Efthimios Efthimiu, si vrasësi me pagesë i Kasmit, si dhe tre bashkëpunëtorë të tij Elton Halipaj, Malvin Dinellari dhe Elton Hoxhallarin. Ndërsa Aurel Hoxhallari është në kërkim si organizatori dhe porositësi i atentatit. /

tvklan.al