Gjykata e Apelit ka rikonfirmuar masat e sigurisë arrest me burg për tre të arrestuarit e akuzuar për vrasjen e Devi Kasmit. Seanca është zhvilluar me dyer të mbyllura.

Togat e zeza kanë vlerësuar se nuk kanë ndryshuar kushtet për grekun Efthimos Efthimiu, i cili sipas prokurorisë është persona që ka ekzekutuar Kasmin. 41-vjeçari grek nuk ka qenë i pranishëm në sallë dhe është përfaqësuar nga avokati, i cili pretendoi se nuk ka prova për të provuar fajësinë e klientit të tij.

Në burg u lanë edhe Elton Hoxhallari dhe Elton Halipaj, të cilët kanë ndihmuar grekun për të kryer krimin. Në ditët në vijim pritet të dalë para gjykatës edhe i arrestuari tjetër Malvi Dinellari. Për këtë ngjarje është shpallur në kërkim Aurel Hoxhallari i cili ende nuk është arrestuar.

Pavarësisht se janë arrestuar personat që organizuar atentatin ndaj Kasmit, motivi i ngjarjes vazhdon të jetë mister. Prokuroria dyshon se greku është vrasës me pagesë, ndërsa porositësi ende nuk është identifikuar.

Tv Klan