Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka bërë përgjegjës Edi Ramën dhe Sandër Lleshaj për vrasjen e Klodian Rashës. Në një takim me të rinjtë në Vlorë, Basha tha se  vrasja e Klodian Rashës nga policia është një ngjarje shumë e rëndë.

Më tej kreu i opozitës shton se Rama duhet ta kishte shkarkuar menjëherë Lleshajn dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliun.

Dje ishte dita e rinisë, edhe në kushte të vështirë është një ditë të cilën ne duhet ta nderojmë edhe ta kujtojmë me një gëzim në shpirt se në fund të fundit se na kujton që ishte rinia ishte ajo që edhe në ditët më të errëta të kombit tonë, solli ndryshimin solli shpresën, solli dritën por edhe e djeshmja u godit rëndë nga një ngjarje e tmerrshme, nga vrasja e Klodian Rashës, 25 vjeçar.

Një brutalitet dhe përgjegjësit nuk janë thjesht ata që shkelën këmbëzën e armës mbi një të ri të pafajshëm, 20 metra nga dera e shtëpisë, por ata që kanë injektuar brutalitetin dhe ashpërsinë në çdo hallkë të qeverisjes. Kryeqeveritari, vartësi i tij që po të kishte pasur një fije dinjitet do të kishte dhënë dorëheqjen, apo po të kishte pasur një fije dhembshuri kryeministri, duhet ta kishte shkarkuar atë edhe drejtorin e përgjithshëm të policisë por nuk ka mundësi ta bëjë këtë, sepse frymëzuesi i këtij brutaliteti, kësaj arrogance, kësaj shpërfilljeje për dinjitetin, për jetën njerëzore, për jetën e të rinjve është vetë ai. E keqja ka shkuar në palcë ndaj duhet shkulur me rrënjë“, tha Basha.

Ndërkohë në Tiranë mijëra qytetarë po vijojnë prej orësh të protestojnë dhe kanë shkatërruar zbukurimet në qendër të qytetit./tvklan.al