Prokuroria: Ngjarja është e qartë, viktima nuk u dhunua

Kur ka kaluar një javë nga vrasja e Klodian Rashës, Prokuroria e Tiranës bën të ditur se ka zbardhur të gjithë ngjarjen që solli vdekjen e të riut, ndërsa paralajmëron edhe ndryshimin e akuzës që rëndon mbi policin Nevaldo Hajdaraj. Organi i akuzës nuk bën të ditur se cili ka qenë mekanizmi i plotë i ngjarjes, por thekson në bazë të të dhënave të reja që kanë dalë nga hetimi akuza e vrasjes së kryer në kushtet e kapërcimit të kufijve të mbrojtjes së nevojshme, do të ndryshojë.

“Kryerja e veprimeve hetimore në drejtim të mekanizimit të ngjarjes, dhe identifikimit të përgjegjësisë penale të autorit, ku deri në këtë njoftim, shprehemi të bindur se veprimet hetimore në lidhje me këto rrethana janë në përfundim të tyre, dhe mekanizmi i ngjarjes është i qartë dhe i zbardhur në mënyrë të plotë, dhe do reflektohet me ndryshimin e kualifikimit ligjor të veprës së kryer”.

Gjithashtu sipas organit të akuzës, nga hetimet ka rezultuar se i riu nuk është dhunuar nga efektivi i policisë, por është qëlluar vetëm me armë zjarri.

“Në lidhje me pretendimet për konflikt fizik, keqtrajtim të kufomës, përpara ndjekjes, gjatë ndjekjes dhe pas goditjes me arme zjarri nga autori i ngjarjes apo persona të tjerë, e ndjejmë me vend të sqarojmë, se në bazë të provave të pakundërshtueshme, të administruara, nuk ka patur përdorim dhune”.

Për sa i përket armës tip pistoletë që u gjet në një prej rrugicave ku ka kaluar i riu, prokuroria thotë se është në pritje të ekspertizës për të parë nëse ka gjurmë gishtërinjsh të viktimës.

Tv Klan