Fqinjët thonë për mediat italiane se debatet mes tyre ishin të shpeshta

Një grua e fortë dhe e brishtë në të njëjtën kohë. Ky është portreti që del nga profilet sociale të Klodiana Vefës, 35-vjeçares së vrarë mbrëmjen e së Enjtes me tre të shtëna me armë zjarri.

Klodiana Vefa kishte 20 vite që ishte zhvendosur nga Shqipëria për në Itali dhe kishte leje qëndrimi të rregullt.

Ajo jetonte së bashku me dy fëmijët e saj ndërsa raportet me bashkëshortin e saj kohët e fundit ishin tensionuar. Sipas mediave italiane, të dy nuk jetonin më bashkë dhe procesin e divorcit po e bënin në Shqipëri.

Diçka të tillë ajo e kishte shprehur në mënyrë indirekte edhe përmes postimeve në rrjetet sociale.

Pak kohë më parë, Klodiana shkruante: “Nëse një mashkull pret që një grua të jetë engjëll në jetën e tij, fillimisht duhet të krijojë parajsën për të. Sepse engjëjt nuk jetojnë në ferr”.

Dhe nuk është i vetmi ndër postimet e tij sociale që tregon për vështirësitë e marrëdhënies me Alfredin. Ata debatonin shpesh, konfirmojnë fqinjët. Ishte 17 Shtatori, kur gruaja shkruante në Instagram: “E njoh shumë mirë veten, jam prej betoni dhe xham. Disa gjëra nuk më prekin, të tjera më shkatërrojnë”.

Xhelozia dyshohet se mund të jetë shkak i ngjarjes. Më pak se një muaj më parë, Klodiana shkruante: “Dashuria të merr gjithmonë pak në befasi, ka nga ata që pushtohen prej saj dhe në fund ikin dhe ka nga ata që e jetojnë atë me gjithë pasionin dhe forcën e tyre”.

“Klodiana ishte një grua  punëtore, një grua e shkëlqyer. Para dy vitesh më në fund arriti të ndahej nga i shoqi, një burrë jo i mirë. Një burrë i dhunshëm. E dinim të gjithë. Kishte shumë guxim”, është shprehur një mikeshë e viktimës për median LaPresse. Dhe në rrjetet e saj sociale komentet e bashkëshortit të saj Alfredit ishin zhdukur tashmë prej pak kohësh. Gjurma e fundit në faqen sociale daton në 18 Prill 2022, kur ai komentoi një foto të Klaudias në shoqërinë e djalit të saj.

Ndërkohë, autoritet italiane kanë shpallur dy ditë zie në qytet pas vrasjes së Klodianës.

Klan News