Vrasja e Lamçes, zbardhet dëshmia e Sanxhaktarit


Vrasja e Lamçes, zbardhet dëshmia e Sanxhaktarit

15:55 31/07/2020

“E kisha si vëlla, nuk mbaj mend pse e qëllova”

Sokol Sanxhaktari ka dhënë dëshminë në polici lidhur me vrasjen e shokut të tij, Florjan Lamçja. Para grupit hetimor, Sanxhaktari është shprehur se nuk mban mend si nisi sherri, që përfundoi në përdorimin e shisheve dhe sendeve të forta.

Në polici 34-vjeçari, dhëndëri i ish-kryetarit të Bashkisë, Qazim Sejdini, është mbrojtur duke thënë se shoku i tretë i ka thënë që Florian Lamçja e ka qëlluar i pari.

Florin e kam patur si vëlla. Ishim bashkë në disa lokale atë natë. Kishim pirë. Më pas u ulëm te lokali “Piazza”, ku erdhi edhe Adi. Aty kemi pirë shumë alkool, sa unë nuk e mbaj mend me detaje. Kam fiksuar momentin kur erdhi policia. Nuk e di se si ka nisur sherri. Adi më tha që ai na qëlloi i pari, por nuk e mbaj mend debatin që solli këtë. Nuk mbaj mend as pse dhe si e qëllova unë. E kam patur mik shtëpie, nuk mund ta kem vrarë unë”.

Pavarësisht deklarimit se veprimet e kryera kanë qenë në efektet e alkoolit dhe se nuk ishin ata që e kanë qëlluar të parët viktimën, policia dhe prokuroria u ka komunikuar Sanxhaktarit dhe Hajdarit akuzën e vrasje me dashje, e kryer në bashkëpunim, vepër penale që parashikon deri në 20 vite burg.

Burime nga policia e Elbasanit konfirmuan se Sanxhaktari dhe Hajdari kanë qenë të penduar për ngjarjen. Pas sherrit dy shokët morën ambulancën në telefon. Lamçja shkoi me shenja jete në spital, por ndërhyrja e mjekëve nuk e shpëtoi dot.

Sipas ekspertizës paraprake, Florian Lamçja ka marrë goditje në kokë me një këmbë karrigeje. Shkaku i vdekjes i ka ardhur nga goditja në kokë dhe çarja e aortës në krahun e majtë.

Tv Klan




Të ngjashme