Pas marrjes në pyetje, u lanë të lirë. Policia dyshon për gjakmarrje

24 orë pas vrasjes së Nikolin Lekstakajt në Balldre të Lezhës, policia gjeti një automjet tip “Benz”, të cilin e kanë përdorur autorët. Është kjo makinë e cila u fiksua nga kamerat e sigurisë teksa lëvizte drejt Gjadrit. Ajo ishte denoncuar e vjedhur në shtator të vitit të shkuar në Bashkinë Dimal. Mjeti që shfaqet në këtë foto tërësisht i shkrumbuar, u konstatua në një parcelë are në fshatin Gjadër, rreth 12 kilometra larg Balldrenit aty ku u vra Lekstakaj. Brenda saj janë gjetur, një armë zjarri automatik dhe disa gëzhoja, të gjitha të djegura plotësisht, ndërsa këto pamjet tregojnë atë çfarë mbeti pas djegies. Kallashnikovi i gjetur, sipas Policisë dyshohet të jetë arma që është përdorur për vrasjen e Lekstakajt, e cila u dërgua në laborator për ekspertim.

Ndërkohë Policia e Lezhës shoqëroi disa persona pas vrasjes së 42 vjeçarit pasditen e së mërkurës në Balldre. Mësohet se të shoqëruarit janë kryesisht nga fisi i Nikulajve, por deri më tani nuk ka asnjë person të arrestuar.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se, në dëshminë paraprake, vëllai i viktimës, Bled Lekstakaj, deklaroi se ai sapo ishte kthyer nga Tirana. I ka marrë makinën për të shkuar në market dhe pas disa minutash dëgjoi krismat e armës.

Besohet se ishin dy autorë të cilët qëlluan me breshëri 42 vjeçarin, sapo ai doli nga marketi ku bleu një bidon Coca-Cola. Më pas ata janë larguar në drejtim të Shkodrës..

Menjëherë pas atentatit drejtori i Policisë së Lezhës, deklaroi nga vendngjarja se pista kryesore e hetimit është ajo e gjakmarrjes.

Fisi Lekstakaj është në një konflikt me fisin Nikulaj që prej vitit 1996 ku ka pasur disa viktima. 3 muaj më parë, po në datë 19, u vra Ardian Nikulaj në biznesin e tij, në Shëngjin. Për këtë ngjarje, autoritetet thonë se porositës ishte Edmond Haxhia, nip i Lekstakajve. Ndryshe nga vrasjet e tjera mes këtyre dy fiseve, policia mundi të zbardhë atentatin ndaj Ardian Nikulajt. 5 shtetas të huaj tashmë janë të arrestuar në Angli. Autoritetet tona të drejtësisë i kanë kërkuar Britanisë ekstradimin e tyre.

Klan News