Ngjarja e fundit kriminale, ajo e vrasjes së Martin Bardhit, në Rrëshen ka shkaktuar ‘tërmet’ në Komisariatin e Policisë së Mirditës.

Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, ka njoftuar shkarkimin e zëvendësdrejtorit për Hetimin e Krimeve të DVP Lezhë Drejtues Alfred Nomani dhe emërimin në këtë detyrë të Kryekomisar Gentian Berberi; shkarkimin nga detyra të shefit të Sektorit për Rendin dhe Sigurinë të DVP Lezhë, Kryekomisar Artur Cara; emërimin në detyrën e Zëvendësdrejtorit për Rendin dhe Sigurinë të DVP Lezhë, të Kryekomisar Altin Mena; dhe shkarkimin nga detyra të shefit të Komisariatit të Policisë Mirditë, Komisar Paulin Çupi dhe emërimin në këtë detyrë të Komisar Klodian Kondi.

Gjithashtu, janë bërë edhe lëvizje të tjera, me qëllim përmirësimin e punës së strukturave të Policisë së Shtetit.

Konkretisht është shkarkuar nga detyra e zëvendësdrejtorit për Hetimin e Krimeve të DVP Fier Drejtues Artur Shira dhe është emëruar në këtë detyrë Komisar Arjan Hasani; është emëruar në detyrën e Shefit të Komisariatit të Policisë Berat Kryekomisar Ermir Gërxhani; është emëruar në detyrën e Shefit të Komisariatit të Policisë Pogradec Komisar Elton Halili.

Vrasja e Martin Bardhit ndodhi në qendër të Rrëshenit, shumë pranë komisariatit të policisë. Si pasojë e plumbave u plagosën edhe 3 qytetarë që ndodheshin pranë vendit të ngjarje. Autorët arritën të largoheshin dhe dogjën makinën në fshatin Gëziq. Deri më tani ata mbeten të paidentifikuar./tvklan.al