Tina Pajollari është vajza që dyshohet se ka qenë “molla e sherrit” për vdekjen e të riut Martin Çeço, i cili u mbyt me litar dhe trupi iu hodh në rezervuarin e fshatit Kolanec të Maliqit.

I ati i Martinit, Nevzat Çeço, në intervistën që dha një javë më parë për emisionin Uniko nga Spartak Koka, foli për një vajzë që punon në një byrektore të Korçës, për të cilën tha se djali i tij e kishte pëlqyer. Dhe e kishte takuar edhe vetë këtë vajzë në byrektore, për të cilën u shpreh se quhet Tina Pajollari.

Por vajza që punon në byrektore nuk quhet Tina Pajollari, por Bora. Mbiemrin nuk po e bëjmë publik.

Bora, vajza që punon në byrektore, ka dhënë një intervistë për gazetarin Spartak Koka në emisionin Uniko në Klan Plus.

Ajo thotë se nuk e di përse është përfshirë në këtë histori dhe nuk ka asnjë lidhje me Martinin, të riun që u vra.

Bora pranon se i ati i Martinit i kishte shkuar në byrektore për ta takuar. Po kështu edhe motra e Martinit. Por ajo iu kishte thënë se nuk njihte asnjë prej tyre, dhe pasi iu ishte prezantuar, ata e kishin pyetur të habitur “a nuk je ti Tina”?

Pasi u zbulua vrasja e Martin Çeços më 16 Qershor, edhe Bora ishte thirrur në Policinë e Korçës për të dhënë deklarime. Aty u ballafaqua dhe me njërën prej motrave të Martinit. Bora thotë se pas ballafaqimit, motra e Martinit deklaroi se ajo nuk është Tina, vajza që kërkonin. Vetë Bora deklaroi në polici se nuk e njeh Martinin dhe nuk e kupton përse është ngatërruar në këtë histori.

Për vrasjen e Martin Çeços policia ka arrestuar 3 persona si të dyshuar për ngjarjen; Valter Mollaj, Edlir Mollaj dhe Bleti Angjo.

Emisioni Uniko e ka gjetur edhe vajzën tjetër Tina Pajollari, e cila ka thënë se nuk e njeh Martinin, por ky i fundit i kishte shkruar në rrjetin social Facebook.

Spartak Koka: Përse ka dalë emri juaj? Përse ju kanë thirrur në polici?

Bora: Pse ka dalë emri im nuk e di, por di që para disa kohësh në byrektore ka ardhur babai i djalit.

Spartak Koka: Para disa kohësh kur i referoheni?

Bora: Para datës 16 Qershor kur mua më kanë marrë në polici. Nuk më kujtohet fiks data. Më ka ardhur dhe i ka thënë pronarit që nuk e kam me ty, dua atë vajzën që punon këtu. Ka ardhur me dy burra të tjerë që ata nuk i njoh kush janë dhe kam shkuar tek tavolina ku ata ishin ulur dhe më ka thënë thjesht ku e kam djalin. As nuk më është prezantuar kush ishte, as çfarë kërkonte. I kam thënë me kë më ngatërron se nuk po të njoh kush je? Pse më tha, nuk je Tina ti? Jo i thashë nuk jam Tina, unë jam Bora. Që në atë moment jam larguar nga tavolina e tyre, kam dalë jashtë dhe më pas ka folur me pronarin.

Spartak Koka: Çfarë kanë biseduar?

Bora: Atë nuk e di, nuk e kam pyetur. Më pas, pas 2-3 ditësh më ka ardhur e motra.

Spartak Koka: Martin Çeçon e njihni?

Bora: Jo, nuk e njoh fare. As Martini, as të atin.

Spartak Koka: Po të atin kur e ke njohur për herë të parë?

Bora: Kur më ardhur tek byrektorja.

Spartak Koka: Martin Çeço pretendon se ka ardhur në atë byrektore, ka folur, ka biseduar, është dashuruar me një vajzë, që z.Nevzat thotë është Tina Pajollari. I ka shërbyer kjo vajzë. Në atë byrektore ku punoni ju. Dhe ka mbajtur kontakte. Madje i është kërkuar dhe dora, flet për fshatin Goskovë e poshtme, nga jeni ju. Si dilni ju? Si përmendeni ju?

Bora: Unë këtë nuk e di. Përse përmendem unë në këtë që s’kam lidhje.

Spartak Koka: Martinin e keni parë ndonjëherë para se të bëhej lajm dhe të bëhej publike që ai është vrarë?

Bora: Jo, nuk e kam parë asnjëherë. S’më kujtohet fare as si fytyrë. As familja e tij, nuk e njoh. Familjen e tij e kam parë kur më kanë ardhur aty dhe më kanë pyetur kush isha. Më ka ardhur e motra dhe më ka pyetur se kush je. Si quhesh? Dhe i kam thënë pse të duhet ty emri im. Më ka thënë, nuk je Tina ti? Jo, i thashë, unë jam Bora. Dhe në atë moment m’u kujtua që për të njëjtin emër më kanë ardhur dhe më kanë pyetur dhe më përpara.

Spartak Koka: Kur?

Bora: Kur më ka ardhur babai dhe m’u kujtua dhe i thashë më kanë ardhur dhe më kanë pyetur për këtë emër. Pse përsëri po më pyet? Më tha, të pashë nga larg dhe m’u duke si ajo në strukturë. Por tani që t’u afrova, nuk je ajo tha. Dhe të kërkoj ndjesë, tha. Dhe është larguar. Më pas në datën 16, unë nuk ndodhesha në punë, më merr pronari në telefon dhe më thotë që ka ardhur një shef policie dhe të kërkon, mori të dhënat e tua dhe numrin tënd të telefonit.

Spartak Koka: Në këtë byrektore, sa vajza punojnë?

Bora: Unë punoj.

Spartak Koka: Dhe kush tjetër?

Bora: Dhe pronari dhe e shoqja e pronarit.

Spartak Koka: Po më pas?

Bora: Më pas në orën 22:00 më ka marrë në telefon shefi i policisë që duhet të paraqitesha në polici për të më marrë një deklaratë. Nuk mundesha në atë moment se as familjen nuk e kisha afër, i thashë që mund të paraqitem nesër. Jo më tha, duhet të paraqitesh patjetër që sot. Shkuam me familjen, u paraqita, më morën në pyetje te Policia e Korçës, më mbajtën nga ora 22:00 deri në orën 03:00 të mëngjesit dhe në fund më kanë ballafaquar me motrën e djalit. Ajo ka thënë që nuk është kjo vajza që unë kërkoj. E ka thënë dhe në polici që nuk isha unë. Aty më kërkuan ndjesë dhe jam larguar.

Spartak Koka: Të kanë pyetur për Martin Çeçon?

Bora: Më kanë pyetur. I kam thënë jo nuk e njoh, s’e kam parë ndonjëherë. Pastaj u largova, më kërkuan ndjesë të gjithë, edhe motra më kërkoi ndjesë. Po mundohesha të vazhdoja jetën time pas gjithë kësaj.   /tvklan.al