Durrësi u trondit këtë të shtunë nga një atentat mafioz ku viktimë mbeti anëtari i bandës së Lul Berishës, Mond Çekiçi. I njohur ndryshe edhe si Edmond Koçi, 40-vjeçari po udhëtonte në makinën e tij tip “Benz” së bashku me shoferin personal kur rruga iu pre nga disa persona të paidentifikuar.

Pasi shoferi doli për të pyetur se çfarë ndodhi, autorët kanë dalë nga makina e tyre dhe kanë ekzekutuar Çekiçin me breshëri plumbash. Shenjat e plumbave në xhamin e pasagjerit janë të dukshme.

Më pas autorët dyshohet se janë larguar me një makinë tip “Benz”. Kjo pasi disa momente pas ngjarjes u gjet në Sukth një makinë e djegur. Tvklan.al bën me dije se pas këqyrjes së makinës së shkrumbuar brenda saj është gjetur një armë automatike AK-47. Dyshohet se kjo është arma që kanë përdorur autorët për të vrarë 40-vjeçarin.

Policia shpreson që ndonjë shenjë e mbetur në armë t’u japë mundësinë që të zbulojnë identitetin e personave të mundshëm që ekzekutuan Mond Çekiçin. Vrasja e tij ndodhi në një zonë të frekuentuar, pranë vendit ku shpeshherë konsumonte kafenë e mëngjesit.

Tashmë rol kyç në këtë ngjarje ka shoferi personal i tij. Dëshmia e tij mund të hedhë dritë mbi ngjarjen pasi ai ka debatuar me vrasësit para ekzekutimit në momentin që ata i prenë rrugën me makinë./tvklan.al