Vrasja e nxënësve në Kosovë, politika dënon krimin e rëndë



Vrasja e nxënësve në Kosovë, politika dënon krimin e rëndë

22:29 26/11/2021

Politikanë në Kosovë dhe në Shqipëri kanë reaguar pas sulmit të rëndë që ndodhi sot në mbrëmje në Deçan të Kosovës. Në mediat sociale, politikanë në të dy vendet kanë dënuar sulmin dhe kërkojnë që të hetimet të zbulojnë autorët e këtij krimi.

Kreu i LDK, Lumir Abdixhiku: I trishtuar e tronditur me aktin makabër sonte në Deçan. Është më shumë se krim! Në këto momente të rënda, jemi me familjarët e viktimave dhe të lënduarve në Deçan. Ndajmë dhimbjen dhe lutjet me ta. Organet e rendit dhe drejtësisë të veprojnë shpejtë e në kapacitet të plotë. Të sjellin para ligjit e drejtësisë autorin e këtij krimi monstruoz, që sulmon një autobus të mbushur me nxënës e fëmijë.

Kreu i AAK, Ramush Haradinaj: I trishtuar nga sulmi kriminal që ndodhi në Gllogjan, ku humbën jetën tre persona, prej të cilëve dy nxënës. Bashkëndjejmë me familjarët e të vrarëve, duke u lutur për durim dhe forcë, në këto momente të rënda për të gjithë ne. Falënderoj kryetarin Bashkim Ramosaj, Policinë, Prokurorinë dhe ekipet mjekësore emergjente për punën e tyre.  Apeloj që organet e rendit sa më parë, të zbulojnë e të kapin autorin e këtij veprimi të ulët kriminal dhe i njëjti të sjellet para drejtësisë.

Kreu i AKR, Behgjet Pacolli: Jemi të tronditur nga lajmi për disa të vrarë në fshatin Gllogjan të Deçanit. Lutemi për të lënduarit dhe shprehi ngushëllimet e mia më të sinqerta familjarëve të viktimave. Tragjedi si kjo duhet të na bëjnë të zgjohemi dhe të kërkojmë zero tolerancë për armëmbajtje dhe për kriminelët e tillë!

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta: Thellësisht i tronditur nga akti kriminal në Gllogjan të Deçanit, ku sipas të dhënave paraprake raportohet për tre humbje jete dhe një të plagosur. Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe solidaritetin e plotë familjeve të të vrarëve dhe të gjithë popullit të Kosovës, duke bashkëndarë me ta dhembjen e madhe për këtë ngjarje shumë të rëndë.

Të lënduarit i uroj shërim sa më të shpejtë dhe përgëzoj ekipet mjekësore për përkushtimin dhe profesionalizmin, që po dëshmojnë! Kam besimin e plotë se institucionet përgjegjëse dhe drejtësia në Republikën e Kosovës do të zbulojnë sa më parët autorët, që meritojnë ndëshkimin më të ashpër ligjor.

Kreu i PD, Lulzim Basha: Dhimbje dhe trishtim për ngjarjen e sotme në Deçan. Ngushëllimet më të ndjera familjeve të viktimave. Shërim të shpejtë nxënësit që po merr ndihmën mjekësore. Jam i sigurt se autoritetet do bëjnë gjithçka për zbardhjen dhe vënien para drejtësisë të autorëve të këtij krimi makabër.

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka: Pikëllim e dhimbje për tragjedinë në Kosovë të shkaktuar nga një dorë kriminale që meriton dënimin më të ashpër që parashikon ligji. Mendjet e lutjet tona ju shkojnë familjeve të viktimave të pafajshme!  U prehshin në paqe!/tvklan.al








Të ngjashme