19-vjeçarja merr përsipër autorësinë e krimit

Këto janë momentet kur Hysen, Hygerta dhe Amarildo Meta dalin përpara Gjykatës së Durrësit të vënë nën akuzë për vrasjen dhe groposjen e trupit të  babait të tyre, Pëllumbit.

Përpara togave të zeza, Hyseni, personi i dyshuar si vrasësi i të atit, ka ndryshuar deklarimet e tij duke thënë se armën e shkrepi e motra e tij, Hygerta dhe jo ai.

“Të flasi ai që e ka bërë, motra e ka qëlluar babin jo unë. Unë vetëm kam qenë prezent. Aryseja pse donte ta vriste ishte fakti se ai donte ta fejonte me zor. Kishin debatuar shumë herë. Kam qenë i hutuar dhe i tronditur ndaj thashë që e kam bërë unë, më ka ardhur shumë keq”.

Ky version është mbështetur dhe nga vetë 19-vjeçarja, e cila përpara hetuesve fill pas zbardhjes së ngjarjes, tha se vrasjen e kreu vëllai saj i madh Hyseni, ndërsa ajo dhe vëllai i vogël e ndihmuan ta varrosnin në një gropë të hapur në oborrin e shtëpisë.

“Duke qenë që ishte shumë e vështirë dhe frika nga policia, ja lashë fajin e vrasjes vëllait. Konflikti ka nisur që në Dhjetor. I thashë jo për fejesën. Kisha frikë se nga refuzimi do më vriste. Ka pasur konflikte dhe me mamin, e ka goditur mamin edhe kur ka qenë në gjumë, për shkak se ishte zgjuar vonë. Ka qenë gjithmonë agresiv, por nuk e kam denoncuar nga frika. Shumë herë na ka  thënë do ju vras. Jam penduar pasi e bëra, por nuk ka kthim pas”.

Ndërkohë vëllai i vogël, Amarildo u shpreh se nuk ka patur dijeni për ngjarjen.

Në këto kushte Prokuroria është shprehur në seancë se dëshmitë e dhëna këtë të hënë do të merren në konsideratë dhe krahasohen me provat e grumbulluara të cilat çuan policinë dhe prokurorinë në zbardhjen e ngjarjes së rëndë 13 ditë pas regjistrimit të saj.

Pasi dëgjoi edhe argumentet e prokurorisë, gjyqtarja e çështjes vendosi t’i lërë tre fëmijët e Pëllumb Metës në qeli.

Tv Klan