Akuzohen për shpërdorim detyre dhe deklarim të rremë

8 punonjës policie të Drejtorisë së Elbasanit janë marrë nën hetim për ngjarjen e prillit të vitit të shkuar në Elbasan ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani. Me kërkesë të prokurorisë Gjykata e Elbasanit ka lëshuar për ta masat e sigurisë, ku dy prej tyre janë lënë në Arrest shtëpie, ndërsa 6 të tjerë në detyrim paraqitje.

Mbi ta rëndojnë akuzat e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Deklarimit të rremë”

Hetimet e kryera nga Prokuroria e Elbasanit treguan se këta efektivë nuk kanë deklaruar saktë rrethanat e ngjarjes ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani dhe të plagosur 4 të tjerë, pas një konflikti mes dy grupeve disa ditë para zgjedhjeve të 25 Prillit 2021.

Vendimi i Gjykatës vjen pak javë nga përfundimi i afatit të hetimit për dosjen, ndërkohë në burg është vetëm ish efektivi i RENEA Arbër Paplekaj, si autor i vrasjes.

Megjithëse në vendin e ngjarjes u gjetën 3 lloje gëzhojash, prokuroria ende nuk ka përgjigje se kush janë dy personat e tjerë që kanë qëlluar.

Më herët, gjykata hoqi masën e sigurisë “Arrest në burg” në mungesë për Kelmend Xhaferrin, e vendosur me dyshimet se kishte qëlluar me armë zjarri në këtë ngjarje.

Tv Klan