Gjykata e Elbasanit lë të lirë vullnetarët e PD

Gjykata e Elbasanit ka lënë në burg Arbër Paplekajn, i akuzuar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në përplasjen me armë në Elbasan pak ditë para zgjedhjeve të 25 Prillit.

Paplekaj akuzohet për vrasje në rrethana cilësuese dhe vjedhje me armë. Ai ka folur pak në sallën e gjyqit kur tha se është i tronditur, pasi në ngjarje ka humbur jetën një person.

Prokurori i çështjes, Alfred Balla shpjegoi dinamikën e përplasjes me armë duke akuzuar Paplekajn për vrasjen e Xhuvanit dhe më pas vjedhjen e një makine për t’u larguar nga Elbasani. Policia ka shpallur në kërkim edhe Klement Xhaferrin, i cili akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë. Gjykata ka lënë të lirë 10 të akuzuar të tjerë, mes tyre 9 vullnetarë të PD, për të cilët dha masën e sigurisë detyrim paraqitje, pasi arrestimi i tyre është konsideruar i paligjshëm.

Vullnetarët e Partisë Demokratike bllokuan makinën e Mehmet Grecës para përplasjes me armë, me dyshimet se aty kishte karta identiteti dhe para me të cilat bliheshin vota. Prokurori tha se në makinën e Grecës më pas u gjet një listë me emra të votuesve të regjistruar me shkrim dore, ndërsa në makinën e Klement Xhaferrit janë gjetur 19 fotokopje të kartave të identitetit të qytetarëve të Elbasanit.

Tv Klan