Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënuan ashpër sulmet e koordinuara të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës pranë Manastirit të Banjskës më 24 shtator dhe shprehën ngushëllime të thella për familjen e rreshterit të Policisë së Kosovës të vrarë në krye të detyrës.

Në një deklaratë, Sekretari i Shtetit, Antony Blinken theksoi se autorët e këtij krimi duhet të mbajnë përgjegjësi nëpërmjet një procesi hetimor transparent.

“Ne i bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga çdo veprim apo retorikë që mund të nxisë tensionet dhe të punojnë menjëherë në koordinim me partnerët ndërkombëtarë për të çtensionuar situatën, për të garantuar sigurinë dhe sundimin e ligjit dhe për t’u kthyer në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, tha Blinken.

Sipas Sekretarit amerikan të Shtetit, Policia e Kosovës ka përgjegjësi të plotë për zbatimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara e njohin dhe respektojnë rolin e Policisë së Kosovës si reaguese e parë në situata emergjente dhe krize”, tha ai.

Por po ashtu, Shtetet e Bashkuara vlerësojnë koordinimin e ngushtë të Policisë së Kosovës me Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë dhe me Forcën e NATO-s në Kosovë, “veçanërisht në garantimin e sigurisë së civilëve në vendngjarje”.

“Ne do të vazhdojmë të monitorojmë situatën dhe të koordinohemi me të gjithë të përfshirët”, tha Blinken./tvklan.al