Avokati mbrojtjës: Klienti im i pafajshëm, kemi 12 dëshmitarë

Nikoll Sherrniku, 26-vjeçari i arrestuar për vrasjen e efektivit të FNSH Shkodër, Xhulio Prela, doli këtë të martë para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë. Togat e zeza vendosën ta lenë atë në arrest me burg, vendim ky që u cilësua i padrejtë nga avokati i tij mbrojtës. Ky i fundit pretendoi se klienti i tij është i pafajshëm dhe se natën e 5 Dhjetorit kur ndodhi ngjarja ka qenë duke festuar ditëlindjen me familjarë të tij.

“Gjykata ka marrë një vendim të gabuar për të mbrojturin prej meje. Vërtetë është një jetë e humbur, por i mbrojturi prej meje është absolutisht i pafajshëm, nuk ka asnjë lloj lidhje. Natën kur ka ndodhur ngjarja i mbrojturi prej meje ka qenë duke festuar ditëlindjen në familjen e tij. Ai është i datëlindjes 05.12.1994, pra është e provueshme edhe nga familjarët e tij, që kanë qenë në darkë, që ky shtetas nuk ka qenë prezent në natën kur ka ndodhur ngjarja”.

Sipas avokatit, janë mbi 12 persona që mund të dëshmojnë se ai nuk ka lidhje me ngjarjen.

“Ne kemi mbi 12 dëshmitarë që kanë qenë atë natë deri vonë, në darkë familjare për të festuar ditëlindjen e tij. Automjeti në fjalë nuk është në pronësi të të mbrojturit prej meje, por të një personi që ka vdekur për shkak të Covid”.

Nikoll Sherrniku u arrestua dy ditë më parë. Ai akuzohet se bashkë me një shokun e tij, i identifikuar si B.Martinaj, të shpallur në kërkim e ekzekutuan policin pas një sherri për motive banale. Shkak mendohet se u bënë dritat e gjata të makinës. Policia i zbuloi autorët pas pamjeve filmike dhe disa të dhënave që mori për autorët pas vrasjes.

Ngjarja e rëndë ndodhi në afërsi të fshatit Gajush në aksin Lezhë-Milot. Xhulio Prela sapo kishte shoqëruar një shokun e tij në Shkodër dhe po kthehej për në banesën e tij në Tiranë/tvklan.al