Policia në Iran arrestoi një person i cili akuzohet se vrau vajzën e tij 14-vjeçare, për të ashtuquajturën “vrasje për nder”, një ngjarje që ka shkaktuar një zemëratë të madhe në vend.

Sipas asaj që shkruan BBC, Romina Ashrafi u largua nga shtëpia e saj në provincën Gilan me të dashurin 35-vjeçar, pasi i ati refuzoi martesën e tyre.

Çifti u gjet nga policia dhe Romina u çua në shtëpi, pavarësisht se siç raportojnë mediat vendase, ajo u kishte thënë oficerëve të policisë se kishte frikë për jetën.

Mbrëmjen e së enjtes së shkuar, ajo dyshohet se u sulmua nga i ati në dhomën e saj të gjumit.

Media Gilkhabar.ir raportoi se i ati i kishte prerë kokën me drapër të bijës. Pas krimit, me draprin në dorë ai kishte dale jashtë dhe kishte rrëfyer krimin e tmerrshëm.

Të mërkurën, një numër i madh gazetash në vend i dhanë vëmendje të madhe historisë së Rominës. Ndërkohë, hashtag-u #Romina_Ashrafi është përdorur më shumë se 50 mijë herë në Twitter. Pjesa më e madhe e përdoruesve dënojnë vrasjen dhe natyrën patriarkale në përgjithësi në shoqërinë iraniane.

Kodi islamik Penal në Iran parashikon dënime të ulëta për baballarët apo anëtarë tjerë të familjes që dënohen për vrasje apo dhunë në familje, apo “vrasje për nder”.

Çfarë është “vrasja për nder”

Termi përdoret për vrasjen e një anëtari të familjes që besohet se ka çnderuar familjen.

Disa prej shkaqeve kryesore janë refuzimi për t’u martuar me mblesëri, viktimat e një përdhunimi dhe lidhjet jashtëmartesore, apo dhe dyshimet se personi ka pasur një të tillë.

Megjithatë vrasje ka pasur edhe për arsye si veshja e konsideruar si e papërshtatshme, apo sjellja e konsideruar rebele.

Nëse një person shpallet fajtor për vrasjen e vajzës së tij në Iran, dënimi është nga 3 deri në 10 vjet burg./tvklan.al