Forcat speciale të RENEA-s kanë zhvilluar një aksion policor në qytetin e Laçit ditën e sotme. Gazetari i Klan News, Edison Vatnikaj mëson se aksioni i RENEA-s ka të bëjë me vrasjen e Shkëlzen Kastratit në qytetin e Fierit më datë 1 Shkurt 2021.

Forcat speciale kanë ushtruar kontrolle në disa vende me qëllim arrestimin e personave që mund të kenë qenë të përfshirë në atentat. Policia ka dyshime se në zonë mund të fshihen disa prej autorëve të ngjarjes.

Për këtë vrasje, Policia e Shtetit ka deklaruar para disa ditësh se ka identifikuar të 4 autorët që morën pjesë në krim. Ata janë Albert Zaja, Elmir Tufa, Elson Xheçuka dhe Roland Cara.

Por, sipas të dhënave nga sistemi TIMS, ata janë larguar nga Shqipëria të ndarë nga njëri-tjetri pas ngjarjes. Duke iu referuar të dhënave të sistemit TIMS rezulton se 2 nga 4 të kërkuarit janë larguar drejt Kosovës dhe më pas drejt një shteti të BE-së.

Në orare të ndryshme, ata janë kujdesur që të mos qëndrojnë së bashku teksa largoheshin nga Shqipëria. Gjithashtu në momentin kur policia gjeti makinën me te cilën autorët u larguan nga Fieri drejt Fushë-Krujës, 4 të rinjtë janë siguruar që të fshihen, pasi nuk rezulton më asnjë gjurmë e tyre.

Sipas policisë Albert Zaja, Elmir Tufa, Elson Xheçuka dhe Roland Cara po hetohen si vrasës me pagesë dhe porosia është bërë nga persona të tjerë, të cilët janë ende mister.  /tvklan.al