Vrasja e shqiptarit në Athinë, kamarierja e lokalit që u plagos mund të jetojë me plumb në trup



Vrasja e shqiptarit në Athinë, kamarierja e lokalit që u plagos mund të jetojë me plumb në trup

10:11 16/01/2021

Policia greke vijon hetimet për të arrestuar autorin e vrasjes së 53-vjeçarit shqiptar në Athinë më datë 11 Janar, ku mbetën të plagosur edhe dy djemtë e viktimës dhe kamarierja e lokalit.

Kjo e fundit mbeti e plagosur në këmbë dhe është jashtë rrezikut për jetën. Por mediat greke shkruajnë se kamarierja 18-vjeçare mund të duhet që të jetojë gjithë jetën me plumbin në këmbë.

Ekzaminimet mjekësore tregojnë se plumbi 9 milimetra i pistoletës ka hyrë thellë dhe mjekët nuk kanë shumë mundësi që të kryejnë operacion.

Sipas tyre, heqja e plumbit nga vendi ku ndodhet mund të rezultojë fatale dhe po konsiderojnë mundësinë që ta lënë aty ku është. Vajza ka një plagë të thellë në këmbë dhe bluzat e bardha vlerësojnë se do të duhet rreth 40 ditë që të mbyllet.

Ndërkohë, në spital ndodhen edhe dy djemtë shqiptarë të cilët mbetën të plagosur nga konflikti me armë. Duket se ata kanë pasur probleme me autorin e ngjarjes dhe pasi kanë debatuar me të në një lokal në lagjen Neos Kosmos, u përplasën fizikisht.

Babai i dy vëllezërve ndërhyri për të mbrojtur djemtë, por u qëllua me gjakftohtësi nga autori, duke mbetur i vdekur në vend.

I dyshuari qëlloi me armë edhe dy vëllezërit të cilët mbetën të plagosur. Një nga plumbat preku në këmbë edhe kamarieren e lokalit, e cila mesa duket do t’i duhet të kalojë gjithë jetën me objektin metalik brenda trupit. /tvklan.al






Të ngjashme