Një person u vra dhe 3 të tjerë mbetën të plagosur nga përleshja me armë që ndodhi pasditen e së hënës në Athinë. Viktima është një 53-vjeçar shqiptar, ndërsa njëri nga të plagosurit është djali i tij, sikurse raportojnë mediat greke.

Ngjarja e rëndë ndodhi në një lokal. Nga hetimet e deritanishme bëhet me dije se viktima kishte ndërhyrë për të shpëtuar dy djemtë e tij, të cilët mesa duket ishin përfshirë në një konflikt brenda lokalit.

Njëri nga dëshmitarët ka thënë për mediat greke se 53-vjeçari shqiptar ishte banor i zonës dhe familja e tij nuk ka qenë asnjëherë problematike.

Dëgjova të shtënat. Dola jashtë dhe shkova në vendngjarje. Pashë viktimën, e njoh personalisht sepse është banor i lagjes, janë familje shumë e mirë. Gruaja e tij po qante nga ballkoni sipër. Shkova brenda lokalit dhe pashë djalin. Hyra brenda, i fola dhe i mbajta kokën. Më pas erdhi policia dhe u largova”, ka thënë njëri nga banorët e zonës i cili ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes.

Foto: Dëshmitari i ngjarjes

Policia greke dyshon se viktima dhe të plagosurit janë konfliktuar fillimisht fizikisht me autorët. Më pas këta të fundit përdorën armët. Prej andej u larguan me shpejtësi me një makinë dhe janë shpallur në kërkim.

Autoritetet greke po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë për të identifikuar personat e përfshirë. Por sipas mediave të Athinës, policia ka përjashtuar pistën e një vrasje të paramenduar, por po heton për një sherr të çastit.

E plagosur lehtë nga të shtënat me armë zjarri mbeti dhe kamarierja e lokalit, e cila është jashtë rrezikut. /tvklan.al