Policia dyshon se vrasja është bërë për larje hesapesh

Policia islandeze ka vënë në pranga 8 persona, për vrasjen e 33-vjeçarit shqiptar Armando Beqiri në Rekjavik. Të ndaluarit janë të gjithë shtetas të huaj, përveç njërit prej tyre që është me kombësi islandeze. Policia beson se mes të arrestuarve është dhe autori i vrasjes së të riut shqiptar, por nuk përjashtohet mundësia që me ekzekutorin të kenë bashkëpunuar dhe persona të tjerë.

Islandezi i arrestuar i identifikuar si Anton Kristin është një personazh i njohur në botën e krimit, kryesisht në trafikun e lëndëve narkotike.

Arrestimi i 8 personave të dyshuar, u bë pas kontrolleve të kryera në 10 banesa për interes të hetimit, ku u sekuestruan sende të shumta, përfshirë dhe një automjet tip Range Rover, në pronësi të një prej të ndaluarve. Policia është duke kryer verifikime për të përcaktuar rolin e secilit prej personave ne pranga, ndërsa ndihmë në hetime ka dhënë dhe Europol.

Armando Beqiri u ekzekutua me pistoletë silenciator pak ditë më parë sapo ishte kthyer në shtëpi dhe kishte parkuar makinën. Autori i cili po e priste e ka qëlluar me më shumë se 5 plumba, pas shpine, në qafë dhe kokë e si pasojë e plagëve te marra 33 vjeçari ka ndërruar jetë në spital. 

Ai jetonte prej vitesh në Islandë dhe ishte pronar i një kompanie sigurie fizike, që në shumë pak kohë kishte arritur një sukses të menjëhershëm. 33-vjeçari sipas policisë dyshohet se është i përfshirë në aktivitet kriminal, dhe një nga pistat e vrasjes së tij është për larje hesapesh.

Klan News