Policia në Islandë po vijon hetimet intensive për vrasjen e Armando Beqirit. Mediat vendase duke cituar burime nga policia bëjnë me dije se hetimet po shkojnë mirë edhe pse çështja është shumë komplekse.

Po ashtu bëhet me dije se po hetohen dhe ngjarje të tjera kriminale të ndodhura vitet e fundit pasi besohet se vrasja mund të ketë lidhje me krime të së shkuarës. Media DV shkruan se nga të arrestuarit 2 prej tyre kanë apeluar masën e sigurisë dhe kërkojnë lirimin nga qelia.

Margeir Sveinsson, shefi i policisë, ka deklaruar se mes të arrestuarve mund të jetë dhe ekzekutori, por nuk përjashton pistën që në vrasjen e Beqirit të jetë përfshirë më shumë se 1 person.

Mes të arrestuarve është vetëm një islandez, ndërsa të tjerë janë me kombësi të ndryshme por që prej vitesh jetonin në këtë vend.

Po ashtu media DV thekson se i arrestuari, Anton Kristinn Þórarinsson nga Islanda, ka mohuar që të jetë i përfshirë në këtë krim dhe kërkon nga gjykata që të lirohet.

Në hetime është përfshirë dhe Europol dhe po mblidhen prova për zbardhjen e ngjarjes së rëndë që tronditi vendin. Policia ka sekuestruar shumë sende për shkak të hetimit dhe ka kryer kontrolle në disa banesa.

Armando Beqiri u ekzekutua pranë banesës së tij në Reikjavik të shtunën. Beqiri prej kohësh jetonte në Islandë dhe ishte integruar shumë mirë me jetën në këtë vend. Shkaqet e vrasjes nuk janë të qarta, dyshimet janë se mund të ketë ardhur si pasojë e përplasjes mes bandave, megjithatë hetimet për ngjarjen e rëndë vijojnë./tvklan.al