Një 23-vjeçar ka mohuar që të ketë qenë pjesë e një atentati të organizuar për vrasjen e Flamur Beqirit. 36-vjeçari me origjinë shqiptare u vra mbrëmjen e Krishtlindjeve vitin e kaluar në sy të gruas dhe fëmijës në Britaninë e Madhe.

Autori i dyshuar i këtij krimi, Anis Fouad Hemissi, 23 vjeç, i cili u ekstradua nga Danimarka disa muaj më parë ka dalë para gjykatës tashmë. Ai nuk ka pranuar fajësinë për vrasje dhe armëmbajtje pa leje. Hemissi, një nënshtetas suedez, shkoi në Mbretërinë e Bashkuar katër ditë përpara vrasjes.

Prokurorët pretendojnë që i riu ka shkuar me qëllimin e vetëm që të ekzekutonte Beqirin. Më pas ai është arratisur në Copenhagen. Më 20 Janar, Hemissi u arrestua në aeroport në kryeqytetin e Danimarkës dhe u kthye në Britani.

Flamur Beqiri, edhe ky nënshtetas suedez, por me origjinë shqiptare, është vëllai i modeles së njohur në Britani Mise Beqiri. Ai jetonte prej disa vitesh në Londër pasi ishte shkëputur prej Suedisë.

Beiqiri, i cili njihej edhe me emrin Alex, në vitin 2008 ishte dyshuar si i përfshirë në një qark ndërkombëtar të trafikut të kanabisit. Megjithatë, ndaj tij nuk pati një akuzë zyrtare për këtë vepër. Por u shpall fajtor për kontrabandë të cigareve dhe alkoolit dhe u dënua me kusht.

Sipas mediave britanike, që prej 3 vitesh pasi Flamur (Alex) Beqiri emigroi për në Britani të Madhe, në Suedi ka patur disa vrasje që dyshohet se janë të lidhur me njëra-tjetrën. Në të njëjtën lagje ku Flamuri u rrit në Suedi, shumë prej miqve të tij janë vrarë që kur ai u largua nga vendi.

Beqiri ishte pronar i një shtëpie diskografike që ka zyra në Londër dhe Stokholm. 36-vjeçari u martua më 2018-n me Debora Krasniqin dhe kishin një fëmijë. /tvklan.al