Një 22-vjeçar është vënë në pranga në lidhje me vrasjen e Flamur Beqirit në Londër, shqiptarit nga Kosova, por që kishte nënshtetësi suedeze.

I riu, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, u arrestua më 20 Janar në aeroportin e Kopenhagenit në Danimarkë, në lidhje me atentatin ndaj Beqirit.

Policia britanike ka deklaruar se është në pritje të ekstradimit të tij. Ai dyshohet se është autori i ngjarjes së rëndë.

Si ndodhi atentati

Flamur Beiqiri jetonte në Londër prej pesë vjetësh. Ai u vra mbrëmjen e Krishtlindjes në vitin 2019 dhe njihej ndryshe me emrin Alex. Ai u qëllua për vdekje përpara syve të gruas dhe fëmijës së tyre teksa po kthehej në shtëpinë e tij në Battersea të Londrës në Britani të Madhe. 36-vjeçari është vëllai i Misse Beqirit, një modele e njohur në Angli.

Fqinjët thanë për mediat britanike se dëgjuan disa të shtëna me armë dhe më pas u dëgjuan të bërtiturat e një gruaje që kërkonte ndihmë. 60-vjeçarja Vittoria Amati, banore e lagjes, u tha hetuesve se kishte dëgjuar 8-10 të shtëna.

Flamur (Alex) Beqiri dhe motra e tij Misse Beqiri

“Pastaj dëgjova ulërimat e gruas së tij. Dola dhe pashë se ishte një nga fqinjët e mi. Ai ishte shtrirë përpara derës së shtëpisë i mbuluar nga gjaku”, tha 60-vjeçarja.

Beqiri ishte pronar i një shtëpie diskografike që ka zyra në Londër dhe Stokholm. 36-vjeçari u martua më 2018-n me Debora Krasniqin në një dasmë madhëshorte.

Dyshimet e autoriteteve

Sipas mediave britanike, që prej 3 vitesh pasi Flamur (Alex) Beqiri emigroi për në Britani të Madhe, në Suedi ka patur disa vrasje që dyshohet se janë të lidhur me njëra-tjetrën. Në të njëjtën lagje ku Flamuri u rrit në Suedi, shumë prej miqve të tij janë vrarë që kur ai u largua nga vendi.

Në vitin 2008, 36-vjeçari ishte i dyshuar si i përfshirë në një qark ndërkombëtar të trafikut të kanabisit. Megjithatë, ndaj tij nuk pati një akuzë zyrtare për këtë vepër. Por u shpall fajtor për kontrabandë të cigareve dhe alkoolit dhe u dënua me kusht./tvklan.al