Vrasja e Flamur (Alex) Beqirit jashtë shtëpisë së tij në Londër ka tronditur komunitetin ku ai banonte. Mediat britanike kanë investiguar më shumë rastin e 36-vjeçarit shqiptar të Kosovës, që ka shtetësi suedeze. Prej 3 vitesh, ai ishte larguar nga Suedia dhe jetonte në Britani të Madhe.

Flamur (Alex) Beqiri është vëllai i Misse Beqirit, një modele shqiptare e njohur në Angli. 36-vjeçari ka në pronësi një kompani diskografike me zyra në Stokholm dhe në Londër. Policia angleze është duke bashkëpunuar me atë suedeze për hetimet e kësaj vrasje.

Sipas mediave britanike, që prej 3 vitesh pasi Flamur (Alex) Beqiri emigroi për në Britani të Madhe, në Suedi ka patur disa vrasje që dyshohet se janë të lidhur me njëra-tjetrën. Në të njëjtën lagje ku Flamuri u rrit në Suedi, shumë prej miqve të tij janë vrarë që kur ai u largua nga vendi.

Në vitin 2008, 36-vjeçari ishte i dyshuar si i përfshirë në një qark ndërkombëtar të trafikut të kanabisit. Megjithatë, ndaj tij nuk pati një akuzë zyrtare për këtë vepër. Por u shpall fajtor për kontrabandë të cigareve dhe alkoolit dhe u dënua me kusht.

Alex Beqiri u vra përpara shtëpisë së tij mbrëmjen e Krishtlindjes përpara bashkëshortes së tij Debora dhe fëmijës së tyre të mitur. Policia angleze tha se fqinjët dëgjuan 8-10 të shtëna me armë. Vrasësi i dyshuar u largua në këmbë. /tvklan.al