Vrasja e studentes, prokurorja: Shqiptari ishte karremi, u përdor nga greku i pasur

Vrasja e studentes, prokurorja: Shqiptari ishte karremi, u përdor nga greku i pasur

10:09 14/05/2020

“Ishin të vendosur ta përdhunonin 23-vjeçaren”

Prej më shumë se 1 viti, në Greqi po zhvillohet gjyqi për vrasjen e studentes Eleni Topaloudi, ku dy të pandehurit janë shqiptari Aleksandër Luca dhe shoku i tij grek Manolis Koukouras 23 vjeç.

Prokurorja e çështjes, Aristotelia Doga, bëri deklarata të forta në sallën e gjyqit gjatë seancës së djeshme, ku kërkoi që dy të rinjtë të shpallen fajtorë për përdhunimin dhe vrasjen e studentes 23-vjeçare.

Prokurorja tregoi për një takim, një kurth siç e konsideroi, që kishin planifikuar Aleksandër Luca dhe Manolis Koukouras. Sipas saj, qëllimi ishte që ta çonin Elenin në vilën e 23-vjeçarit grek, ku aty do të abuzonin me të seksualisht dhe më pas do ta vrisnin për të fshehur provat. Dhe kështu ndodhi. Eleni Topaloudi ishte përdhunuar dhe dhunuar fizikisht, e më pas ishte hedhur e gjallë në det pranë shkëmbinjve, e për pasojë humbi jetën.

Sipas prokurores, shqiptari Aleksandër Luca veproi si “karrem” për të vënë në zbatim planin e tyre. Ai iu afrua vajzës dhe u prezantua me të. Ajo theksoi se shqiptari nuk vjen nga një familje e pasur, dhe ai ishte përdorur deri diku nga shoku i tij grek që të joshte studenten Eleni Topaloudi. Ndërsa familja e 23-vjeçarit grek Manolis Koukouras është një nga familjet e pasura të ishullit Rodos.

Pasi kishin organizuar takimin me studenten, ata e ftuan për një shëtitje me makinë. 23-vjeçarja mendonte se do të ishte thjesht një xhiro me makinë, por sipas prokurores, plani i dy të rinjve ishte që ta çonin në shtëpinë e grekut Manolis Koukouras.

Gjatë fjalës së saj në gjyq, prokurorja la të nënkuptohej se janë bërë përpjekje për të mbuluar këtë ngjarje të rëndë kur dosja ishte në duart e oficerit të policisë gjyqësore në ishullin Rodos, ku dhe ndodhi ngjarja. Ndër të tjera, ajo fajësoi prindërit dhe gjyshen e 23-vjeçarit grek.

“Ju keni rritur një fëmijë përbindësh”. Me këto fjalë ju drejtua prokurorja babait të 23-vjeçarit grek Manolis Koukouras, duke e paralajmëruar se do të kërkojë që të nisin hetime edhe ndaj tij dhe gjyshes së të riut, pasi beson se ata kanë qenë në dijeni të krimit të rëndë.

Prokurorja pretendon se dy djemtë e akuzuar për vrasjen e studentes, ishin të vendosur për ta vënë në zbatim planin e tyre.

“Ata kishin një plan për ta përdhunuar, dhe do ta përdhunonin edhe sikur të ishte e vdekur. Eleni rezistoi, nuk pranoi, ajo luftoi. Ajo nuk u dorëzua përpara këtyre kriminelëve dhe e pagoi me jetën e saj. Njëri nga të pandehurit e mbante, dhe tjetri e rrihte”, tha prokurorja Doga në seancës gjyqësore, duke sqaruar se rezistenca e Elenit provokoi acarimin e dy të rinjve, të cilët menduan se ajo do t’i denonconte. Prandaj vendosën ta lidhnin dhe ta hidhnin të gjallë në det.

Prokurorja zbuloi edhe fjalët e fundit që u kishte thënë Eleni dy të rinjve përpara se t’i merrnin jetën. “Babai im ka për t’ju gjetur”, u është drejtuar ajo dy djemve.

Deklaratat e forta në gjyq të prokurores u kundërshtuan nga dy të pandehurit, të cilët ja hedhin fajin njëri-tjetrit sikurse kanë bërë që prej momentit kur u arrestuan. Të dy pranojnë pjesëmarrjen në krim, por nga ana tjetër të dy mohojnë që të kenë abuzuar seksualisht me studenten dhe ta kenë vrarë.

Në seancën gjyqësore të javës së kaluar, shqiptari Aleksandër Luca tha se i vetmi faj i tij është që nuk bëri asgjë për të mbrojtur vajzën. Sipas tij, ishte i detyruar nga shoku i tij grek që të mos fliste dhe të bënte çfarë i thoshte ai, duke pretenduar që 23-vjeçari grek e kishte kërcënuar.

Studentja Eleni Topaloudi u përdhunua dhe u vra në fund të muajit Nëntor 2018 në ishullin Rodos të Greqisë. Gjyqi për këtë çështje të bujshme po vazhdon dhe është drejt fundit. /tvklan.al

Të ngjashme

Grupi

Kallezo