Policia shpall ne kërkim Skedjan Gabranin dhe Elton Hajnajn, mbi 10 të shoqëruar

Më shumë se 10 persona janë shoqëruar në policinë e Vlorës, si persona që mund të kenë dijeni për vrasjen e 31-vjeçarit Tauland Gjikaj.

Kalimtarët e rastit të pyetur kanë treguar dinamikën e ngjarjes, të dhëna për pamjen e personave në automjetin tip ‘Ford’ dhe trajektoren që ndoqi makina.

Pas arrestimit të autorit Hansi Jonuzi, policia ka shpallur në kërkim dhe dy bashkëpunëtorët e dyshuar, Skedjan Gabrani dhe Elton Hajnaj.

Fillimisht në komisariat Hansi Jonuzi nuk e ka pranuar krimin duke thënë që s’kam lidhje me ngjarjen, por pamjet filmike, gjurmët e gjetura në vendin e ngjarjes si dhe arrestimi i tij në po të njëjtin mjet që ka ndodhur vrasja, kanë qenë të pakundërshtueshme për policinë, e cila ka ngritur akuzat ndaj tij.

Për arrestimin e dy bashkëpunëtorëve të tjerë, policia ka kryer gjatë natës kontrolle në disa banesa të zonës, por ende nuk ka rënë në gjurmët e tyre.

E gjithë dinamika e ngjarjes është filmuar nga kamerat e sigurisë të biznesve në afërsi të vendit ku ka ndodhur ngjarja.

Në video duket fillimisht viktima që po ecte i vetëm në trotuarin e Rrugës Transballkanike, pranë Gjykatës së Apelit të qytetit dhe menjëherë shfaqen dy persona qe dalin me shpejtësi nga një makinë, duke i dalë para Tauland Gjikajt, ndërsa një i tretë qëndron në timon.

Agresoret janë të pamaskuar dhe i pari që i drejtohet Gjikajt përballë është një i ri trupmadh, ndërsa tjetri që qëndron me pas ka në dorë automatikun kallashnikov.

Duket se viktima dhe agresorët shkëmbejnë 2-3 fjalë dhe menjëherë njëri prej dy të rinjve kaq qëlluar me armën që mbante në dorë. 31-vjeçari është shembur në tokë pas breshërisë së plumbave dhe aty i rrëzuar vendos dorën në brez duke u përpjekur që të nxjerrë armën që kishte, siç u vërtetua më pas nga policia. Agresorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Tauland Gjikajt iu dha ndihma e parë në vendin e ngjarjes dhe më pas u transportua në spitalin rajonal, ku nuk mundi t’i shpëtojë plagëve të marra.

Viktima e atentatit është djali i një ish-polici me një të kaluar të pasur kriminale. Tauland Gjikaj rezulton i përfshirë në një përplasje me armë në Vlorë në shkurt të vitit 2018. Ngjarja e tre viteve më parë ndodhi në lagjen “28 Nëntori”, pranë Kishës Ortodokse.

Nga kjo ngjarje mbetën të plagosur tre persona. Gjikaj u arrestua bashkë me dy të tjerë me akuzën e armëmbajtjes pa leje dhe tentativës së vrasjes.

Në muajin Mars ndaj Gjikës ndryshoi masa e sigurisë nga “arrest me burg” në arrest shtëpie. Edhe pse ishte në arrest shtëpie ai u kap nga Policia e Vlorës pak muaj më vonë, konkretisht në qershor të vitit 2018, duke lëvizur me armë në makinë. Pas arrestimit në muajin qershor për armëmbajtje pa leje, Gjykata e la sërish në arrest shtëpie.

Klan News