Vrasja e teknikut të kondicionerit, Rama: U arrestuan 4 kafshë

Vrasja e teknikut të kondicionerit, Rama: U arrestuan 4 kafshë

13:24 24/08/2019

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë të vrasjes së teknikut të kondicionerëve Indrit Çelaj.

Duke iu përgjigjur komentit të një qytetari në rrjetin e tij social në Facebook, Kryeministri thotë se ngjarje të tilla janë përgjegjësi e policisë, e cila në këtë rast e ka zbardhur këtë krim.

“Katër kafshë” i etiketon Kryeministri të arrestuarit e deritanishëm për vrasjen e 26-vjeçarit Indrit Çelaj.

Patjetër që është përgjegjësia e Policisë së Shtetit, e cila sa për dijeninë tënde e ka zbuluar vrasjen dhe ka arrestuar katër kafshë deri tani”, thotë Kryeministri.

Indrit Çelaj u vra dy ditë më parë teksa po instalonte sistemin e kondicionimit në vilën e familjes Kusi në rrugën “Muhamet Gjollesha” në Tiranë. Gjatë një debati për motive banale me dy djemtë e pronarit të vilës, Griseldo dhe Albano Kusi, këta të fundit e qëlluan me plumb dhe më pas u arratisën. Të pranishëm në këtë ngjarje ishin babai i vëllezërve, Bujar Kusi, dhe tre persona të tjerë. Të gjithë fshehën ngjarjen dhe nuk i treguan policisë çfarë kishte ndodhur.

Sipas policisë, vëllezërit Kusi kishin ndërmjetësuar me një 27-vjeçar, të njohurin e tyre, që të merrte përgjegjësinë e krimit. Ky person ishte në kërkim nga policia për një vepër tjetër penale. Por ai u ndalua nga policia dhe rrëfeu të gjithë skenarin. Vëllezërit Kusi janë emra të njohur për autoritetet. Ata janë gjykuar për akuzat e vrasjes dhe tentativës së vrasjes. /tvklan.al

Të ngjashme
UKT