Akuzohen për moskallëzim krimi dhe pengimin e të vërtetës

Tre nga katër të arrestuarit për vrasjen e 26-vjeçarit Indrit Çelaj janë lënë në burg nga gjykata. Bujar Kusi, babai i Griseldo dhe Albano Kusit, të shpallur në kërkim si autorë të vrasjes, sëbashku me Ferdinand Bakallin dhe Ali Sulën do të qëndrojnë në qeli deri në fund të hetimeve. Këta tre persona akuzohen për moskallëzim krimi dhe pengim për të zbardhur të vërtetën.

Ndërsa i vetmi që la qelinë ishte Luan Çaka, i cili punonte si bojaxhi në vilën ku ndodhi krimi. Për të u caktua masa e sigurisë arrest shtëpie. Prokuroria solli si prova deklarimet fillestare të këtyre personave, të cilët me dëshmitë e tyre tentuan t’i japin një tjetër rrjedhë të vërtetës.

Dyshohet se vrasja ka ndodhur brenda në ndërtesë, ndërsa më pas trupi është hedhur jashtë saj. E gjithë kjo është fiksuar nga kamerat e sigurisë dhe personat që u lanë në burg këtë të diel kanë parë gjithçka, por nuk njoftuan policinë.

Më pas autorët e krimit kanë kontaktuar me Lorenc Veliajn, person në kërkim për armëmbajtje pa leje. Ata i kanë kërkuar që të marrë përgjegjësinë për krimin, pasi kjo nuk do t’i kushtonte asgjë. 27-vjeçari është ndaluar nga policia dhe ka zbardhur të gjithë skenarin. Veliaj u la në burg të shtunën nga gjykata, por jo për vrasjen e Indrit Çelajt.

26-vjeçari nga Mallakastra gjeti vdekjen nga një plumb të cilin e mori në kokë. Motiv i krimit ka qenë debati për sistemin e kondicionimit të vilës, i cili sipas vëllezërve Kusi kishte probleme. Albano dhe Griseldo Kusi janë emra të njohur për policinë, pasi janë gjykuar për akuzat e vrasjes dhe tentativës së vrasjes.

Tv Klan