vloreNjë sherr banal është motivi i ngjarjes së një dite më parë në lagjen Çole të Vlorës ku si pasojë e një shkëmbimi zjarri mbetën të vrarë 3 persona dhe u plagos një i katërt.

Nga hetimet ka rezultuar se pikënisje e konfliktit ka qenë një debat që Xhuliano Lutaj kisshte patur me Akil Hasanajn dhe Ardi Velajn rreth orës 4 të mëngjesit të së martës në një kazino pranë portit të qytetit.

Sipas policisë, Akil Hasanaj dhe Ardi Velaj kanë ofenduar dhe dhunuar shtetasin Xhuliano Lutaj, i cili ka vënë në dijeni shokun e tij Albi Limaj, që  në momentin e sherrit nuk ishte i pranishëm.

Paraditen e së martës ky i fundit ka lajmëruar edhe Aleksandër Llanajn, shok i tyre, ndërsa pak orë më vonë tre të rinjve u bashkohen edhe Ani Begaj dhe Bertil Aliaj.

Të hipur në një automjet BMW X5 që drejtohej nga Bertil Aliaj 5 të rinjtë kanë shkuar të sqarohen në lokalin “Adore” në lagjen 24 Maji. Nga makina kanë zbritur Xhuliano Lutaj dhe Albi Limaj, të cilët kanë shkuar drejt Ardi Velajt dhe Akil Hasanaj që ishin duke pirë kafe në verandën e lokalit.

Limaj është konfliktuar fillimisht me fjalë, ndërsa më pas ka shtënë me pistoletë ndaj të rinjve, të cilët i janë kundërpërgjigjur.

Pas këtij momenti është hapur zjarr edhe nga automjeti BMW ku ndodheshin Bertil Aliaj, Aleksandër llanaj e Ani Begaj. Bilanci 3 të vdekur e 1 i plagosur.

Fillimisht policia ndaloi si autorë të dyshuar 3 persona, të cilët rezultuan të mos kishin lidhje me ngjarjen, ndërsa në mbrëmje konfirmoi arrestimin e 4 të rinjve që përmenden si autorë dhe bashkëpunëtorë në vrasjen e Akil Hasanajt dhe Ardi Velajt.

Tv Klan