Dy të arrestuarit për vrasjen e vëllezërve Bilali në Shkodër, kanë mohuar akuzat në gjykatë. Një prej tyre, Arsen Stojku, ka deklaruar se me Ibrahim Licin, i dyshuar si autor kryesor i vrasjes, është kushëri. Ai së bashku me Mislim Ramën kanë thënë para trupit gjykues se makinën e vjedhur e kishin lyer por nuk janë ata vrasësit e Bilalëve.

Pas ngjarjes, mjeti u gjet gjysmë i djegur vetëm 300 metra larg nga vendi i krimit. Gjatë këqyrjes hetuesit gjetën gjurmë të gishtave të dy të arrestuarve.

Në seancën e sotme gjykata e Shkodrës vendosi të lërë në burg Mislim Ramën dhe Arsen Stojkun, të dyshuar si bashkëpunëtor në vrasje. Avokatët mbrojtës kërkuan masa më të lehtë por kjo nuk u mor parasysh nga trupi gjykues.

Policia ka shpallur në kërkim, Ibrahim Licin, i cili dyshohet se është ai autori i vrasjes së dy vëllezërve Bilali.

Atentati i 30 marsit ishte nga më të bujshmit në qytetin verior. Viktima ishin duke shkuar te motra e tyre kur mbi ta u qëllua me breshëri, pa pasur asnjë mundësi shpëtimi.

Tv Klan