Shoqërohet në gjykatë edhe i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani

Henrik Hoxhaj i penduari i drejtësisë, ka dëshmuar për vrasjen e Dorian Shkozes e Anxhelo Avdylit, krim i ndodhur në zonën e Nishtullës në Durrës më 2 Mars të 2020-ës.

Objektivi ishte Dorian Shkoza. Henrik Hoxhaj dhe Elio Bitri morën 60 mijë euro nga Dumani për të kryer vrasjen. Sipas dëshmisë së mikut të Dumanit, në timon ka qenë Elio Bitri, ndërsa ai ishte ulur në sediljen e pasagjerit.

“Kam patur 2 pistoleta 9 mm, ndërsa Bitri një pistoletë me mulli. Dorian Shkoza i ka dalë para Avdylajt për ta mbrojtur kur kemi qëlluar. Kam qëlluar me të dyja armët, edhe Bitri qëlloi njëherë me armën e tij, por nuk e di nëse ka kapur plumbi ndonjërin nga viktimat. Dumani nuk ishte me ne, por vinte rrotull.”


Pasi kryen vrasjen, Henrik Hoxhaj ka treguar se mori pagesën nga Dumani dhe planifikuan vrasjen e Besmir Haxhias. Pas afro dy muajsh, më 27 Prill u ekzekutua objektivi Besmir Hoxha dhe vëllai i tij Viktor Haxhiaj. Ata u vranë në tregun e makinave në zonën e Shënavlashit. Henrik Hoxhaj ka pranuar se ka marrë 30 mijë euro për vrasjen.

“Mbaja veshur një jelek të OFL dhe kapele OFL. Kisha dy armë automatike në makinë, njërën në dorë tjetrën në xhepin e derës. Shoferi ynë u fut në parakalim kur i pamë vëllezërit, dhe nisa të qëlloj. Nuredinit s’po i shkrepte arma. Kam goditur me xhama mbyllur. Kam qëlluar edhe nga xhami i pasëm, shoferin e mjetit, Besmirin. Kam zbritur dhe mora armën tjetër se më mbaruan plumbat dhe qëllova sërish për tu siguruar.”

Këto dy atentate me 4 viktima po hetohen në një dosje për shkak të njohjes që kishin mes tyre. Sipas SPAK ato u kryenë nga grupi i Talo Çelës, ku bënin pjesë Nuredin Dumani, Klevis Alla, Altin Ndoci, Besian Xhixha dhe Enver Diva.

Seanca e së martës në Gjykatën e Posaçme për të akuzuarit e tjerë, u shty. Shkak është bërë kërkesa e avokatëve të Enver Divës dhe Besian Xhixhës. Ata kërkuan kohë për krahasimin e dëshmisë së Henrik Hoxhajt të dhënë ditën e sotme përballë gjykatës me atë që ka dhënë në Prokurori.

Klan News