Policia e Fierit ka arritur të dokumentojë një ngjarje të rëndë që ndodhi të shtunën në fshatin Kasnicë të Patosit, ku një 46-vjeçar me iniciale P.S., ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra me thikë. Në pranga ra 31-vjeçari A.S.

Por policia njoftoi të dielën se janë arrestuar në flagrancë edhe dy persona të tjerë. Bëhet fjalë për vëllain e viktimës, 59-vjeçarin A.S., dhe një banues në fshatin Kasnicë, 28-vjeçarin G.S.

Ata dyshohet se janë autorët e plagosjes së nënës së autorit të arrestuar të ngjarjes 61-vjeçares K.S. Kjo ngjarje ka ndodhur pak momente para vrasjes së 46-vjeçarit.

Sipas policisë, këta persona dyshohet se kanë goditur me sende të forta në trup 61-vjeçare e cila tani ndodhet në Spitalin e Traumës nën kujdesin e mjekëve.

Kjo dyshohet të ketë çuar më pas në plagosjen fillimisht me thikë të 46-vjeçarit dhe më vonë për shkak të plagëve të marra ai humbi jetën në spital./tvklan.al