Akuzohen për vrasjen e Grei Bihucit pas sherrit që nisi në rrjetet sociale
Burg pa afat vendosi gjykata e Fierit, për dy kushërinjtë Klajdi dhe Florjan Muka të moshës 17 dhe 18 vjeç. Dy të rinjtë akuzohen nga prokuroria si autorë të vrasjes së Grei Bihucit dhe plagosjes së shokut të tij Olti Serjanaj. Gjatë seancës gjyqësore atyre iu komunikua akuza, që është vrasje me paramendim dhe mbajtje pa leje e armëve të ftohta.
17-vjeçari, për shkak të moshës minore do të dërgohet në paraburgimin e të miturve në Kavajë, ndërsa 18-vjeçari në paraburgimin e Fierit. Avokati i 17vjeçarit tha për mediat se i mituri nuk kishte rol aktiv në ngjarjen që i mori jetën Bihucit.
Grei Bihuci u godit me thikë nga dy kushërinjtë pas një sherri banal që kishte nisur në rrjetet sociale. Nga hetimet e policisë dhe prokurorisë rezultoi se viktima nuk ishte i pranishëm në konflikt, por hyri për të ndarë palët, por u godit me thikë. 19 vjeçari ishte nxënës i shkollës profesionale dhe pasdite punonte kamerier për të përfituar më shumë të ardhura në familje. Të afërm e miq të të riut, e tregojnë 19 vjeçarin një djalë të qetë dhe jo konfliktual. Sipas tyre ai ndodhej në momentin dhe vendin e gabuar.
Klan News