Policia e Elbasanit reagoi zyrtarisht pas rastit të rëndë të ndodhur një ditë më parë në burgun e sigurisë së lartë në Peqin, ku Sokol Mjacaj vrau me armë zjarri Arben Lleshin dhe plagosi Indrit Shaqjen. Policia thotë se ky i fundit ndodhet në spital në kujdesin e mjekëve.

Mësohet se pasi ka kryer ekzekutimin e Lleshit, Mjacaj ka kërcënuar me armë zjarri gardianët e burgut.

“Nga oficerët e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan u ekzekutua urdhri i prokurorit, për kryerjen e arrestimit në flagrancë për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”, të shtetasit Sokol Mjacaj, 28 vjeç”, njoftoi policia këtë të shtunë.

Hetimet kanë sjellë edhe ndalimin e 12 punonjësve të këtij institucioni. Mes tyre është edhe drejtori Kamber Hoxha, 59 vjeç. Mbi ta rëndon vepra penale e shpërdorimit të detyrës.

“Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Personit, në bashkëpunim me ata të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Sistemit të Burgjeve, ekzekutuan urdhrin e prokurorit, për ndalimin për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, të shtetasve:

-Kamber Hoxha, 59 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë Drejtor i IEVP Peqin;
-Qani Muça, 60 vjeç, banues në Elbasan, me detyrë shef i Policisë së IEVP Peqin;
-Nikolin Gjonpalaj, 54 vjeç, banues në Tiranë, ish-shef i Policisë së IEVP Peqin;
-Vilson Shima, 37 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë shef regjimi në IEVP Peqin;
-Arben Dulellari, 52 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë specialist i informacionit në sallën operative të IEVP Peqin;
-Ilir Balla, 46 vjeç, banues në Peqin, polic shërbimi i IEVP Peqin;
-Florenc Mile, 43 vjeç, banues në Lushnje, polic shërbimi i IEVP Peqin;
-Fatos Pire, 50 vjeç, banues në Belsh, polic shërbimi i IEVP Peqin;
-Genci Muça, 49 vjeç, banues në Lushnjë, punonjës policie i IEVP Peqin;
-Klement Haka, 44 vjeç, banues në Peqin, punonjës policie i IEVP Peqin;
-Erjon Çela, 36 vjeç, banues në Belsh, punonjës policie i IEVP Peqin;
-Indrit Dubali, 41 vjeç, banues në Peqin, punonjës policie i IEVP Peqin”
, njoftoi policia.

Gazetarja Glidona Daci ka mësuar se Gjonpalaj aktualisht vijonte punonte në burgun 313 në Tiranë pasi ishte larguar nga Peqini prej 5 ditësh.

Policia ka sekuestruar armën e zjarrit dhe thotë se ka marrë edhe prova të tjera materiale që pritet t’i shërbejnë hetimit.

Mjacaj ka deklaruar pas ngjarjes se e ka kryer vrasjen për shkak të një sherri që kishte me Arben Lleshin. Sipas 28-vjeçartit ky i fundit nuk e ka pranuar në sektor. Megjithatë, pavarësisht kësaj dëshmie, hetuesit dyshojnë se ngjarja është e mirëorganizuar dhe nuk përjashtohet mundësia që të jetë porositur.

Për zbardhjen e ngjarjes po analizohen edhe pamjet e kamerave të sigurisë, ndonëse, një pjesë e tyre, sipas stafit të burgut, nuk punonin.

Arben Lleshi
Arben Lleshi

Viktima Arben Lleshi ishte duke vuajtur një dënim të dhënë nga drejtësia Britanike, për vrasjen e një shtetasi në vitin 2012.  Ndërsa Indrit Shaqja, është dënuar për vrasjen e dy të moshuarave në vitin 2014 në Durrës, të cilave iu fut në banesë për t’i grabitur.

Për grabitje të dhunshme me pasojë vdekjen është dënuar edhe autori kësaj ngjarje, Sokol Mjacaj, i cili grabiti e më pas i ekzekutoi me armë zjarri në automjetin e tyre dy turistë çekë në 2015./tvklan.al