Furtunë në burgun e Peqinit pas vrasjes me pistoletë pasditen e të premtes së të dënuarit me burg përjetë Arben Lleshi nga Mati nga një tjetër i dënuar perjetë, Sokol Mjacaj, nga Shkodra.
Me urdhër të Prokurorisë së Elbasanit janë arrestuar për “shpërdorim detyre” drejtori i komanduar Kamber Hoxha dhe 11 punonjës të tjerë të burgut.
Prokuroria i akuzon për një sërë shkeljesh që kanë të bëjnë me sigurinë e burgut, veçanërisht për mungesë të kontrollit ndaj Sokol Mjacajt.
“Ka dyshime të bazuara se nga punonjësit e shërbimit, nuk janë përmbushur detyrat funksionale, pasi nuk kanë kryer kontrollin fizik, që konsiston dalja e të dënuarit nga dhoma për ajrim dhe kthimin nga ajrimi për në dhomë në ditën e ngjarjes si dhe në ditët e mëparshme. Gjithashtu gjatë transferimit nga ambientet e godinës të emërtuar si 41 biz ku ka qenë i akomoduar, për në godinën B të sigurisë së lartë ku është akomoduar së fundmi i dënuari Sokol Mjacaj rezulton se nuk është kryer procedura standarde e kontrollit fizik dhe të sendeve personale si parashikon skema e sigurisë”.
Mes shkeljeve është dhe njoftimi me vonesë i ngjares në polici. Prokuroria thotë se vrasja është kryer në orën 13:52, por është lajmëruar më vonë në polici.
Hetuesit kane zbuluar se edhe sistemi i skanimit dhe ai i kamerave nuk kanë qenë funksional për disa ditë, çka mund të ketë ndihmuar në futjen e pistoletës që përdori Mjacaj.
Vetë autori i krimit, që iu dorëzua drejtorit të burgut, ka dhënë pak informacione se si e mori armën, ndërsa ka treguar edhe motivin e vrasjes.
“Armën tip pistoletë e kam futur në burg 20 ditë përpara. Ndërsa Arben Lleshin e vrara se nuk më pranonte në sektor”.
Por motivi i krimit i dhënë nga Mjacaj nuk e ka bindur prokurorinë, e cila po heton edhe pistën e vrasjes me pagesë.
Për të zbuluar se si u fut arma në burg, prokuroria ka marrë të gjitha filmimet e kamerave të sigurisë, ndërsa dyshohet se Mjacaj mund të ketë pasur ndihmë edhe nga punonjës te burgut.
Përsa i përket dinamikes së ngjarjes, Mjacaj mësohet se e ka qëlluar Lleshin nga dritarja e qelisë, me 5 plumba, tre prej të cilëve e kapën atë në trup, ndërsa një tjetër plagosi shokun e tij të qelisë, Indrit Shaqja. Mjacaj e ka thërritur viktimën në emër dhe e ka zbrazur pistoletën me mulli sapo ai i është përgjigjur dhe i është afruar dritares.
Viktima Arben Lleshi ishte duke vuajtur një dënim të dhënë nga drejtësia Britanike, për vrasjen e një emigranti shqiptar në vitin 2012, të cilit i dogji edhe trupin.
Ndërsa Sokol Mjacaj është dënuar me burg perjetë për grabitjen dhe vrasjen e dy turistëve çekë në vitin 2015.
Po ashtu, i plagosur Indrit Shaqja, është dënuar për vrasjen e dy të moshuarave në vitin 2014 në Durrës, të cilave iu fut në banesë për t’i grabitur.
Tv Klan