Gëzim Kajno, i arrestuari kryesor për vrasjen e Asllan Kërtushës të martën në Durrës, ka pranuar krimin.

Në dëshminë e dhënë pas arrestimit, ai ka deklaruara se 30 – vjeçari shkonte shpesh në lokalin e tij dhe pasi konsumonte alkool bezdiste klientët.

31 – vjeçari pretendon se Kërtusha iu kishte rënë në qafë atë natë duke, ulëritur dhe sipas tij, kapte karriget dhe donte të godiste klientët.

“Ne i kërkuam që të dilte nga lokali dhe mos të vinte më aty, ai u konfliktua fizikisht me Bledin, kishte një pistoletë ia mora dhe e godita në kokë me qytë, në këto momente arma ka shkrehur dhe ka plagosur nipin tim”

,  deklaroj para oficerëve të Policisë Gjyqësore, Kajno.

Kajno pretendon se nuk kishte për qëllim të vriste Kërtushën, por të mbronte nipin e tij, i cili ishte i gjakosur dhe Kërtusha i është versulur për t’i marrë armën dhe për vetëmbrojte e ka qëlluar.

Ai shtoj më tej se Asllan Kërtusha ka qenë person problematik, kështu bënte kudo ku shkonte.

Por pavarësisht pretendimeve të Gëzim Kajnos, se arma ishte e Kërtushës, burime pranë policisë thanë për Televizionin Klan se ishte e tij dhe pa lejen e organeve përkatëse.

Gëzim Kajno do të njihet të premten me masën e sigurisë, ndërsa nipin e tij, Gjykata e Durrësit vendosi të lërë në burg pas kërkesës së prokurorisë.

 

Prokuroria Durrës, versioni zyrtar i ngjarjes: 

Prokuroria e Durrësit kërkon caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për shtetasit Gëzim Kajno dhe Bledar Kajno, të dyshuar si autorë të veprave penale të “Vrasjes me dashje”, e kryer në bashkëpunim dhe “armëmbajtje pa leje”, për ngjarjen e ndodhur në dt. 01.03.2016, ku mbeti i vdekur me armë zjarri shtetasi Asllan Kërtusha.

Në bazë të veprimeve proceduriale të deritanishme rezulton se viktima Kërtusha, mesditën e datës 01.03.2016, ka qenë duke konsumuar pije alkoolike në lokalin e shtetasit Gëzim Kajno. Rreth pasdites, në gjendje të rënduar për shkak të alkoolit, ai ka nisur të fyejë dhe ofendojë kamarierët e lokalit, të cilët kanë njoftuar pronarin, Gëzim Kajno.

Ky i fundit është afruar në lokal, së bashku me nipin e tij, Bledar Kajno dhe kanë tentuar ta qetësojmë shtetasin Kërtusha, i cili gjendej në ambientet e brendshme të lokalit. Pasi kanë diskutuar së bashku në tavolinë, Kërtusha dhe pronari i lokalit, Gëzim Kajno, kanë dalë në ambientet e jashtme të lokalit, ku kanë filluar të grinden fizikisht.

Kjo situatë është fiksuar edhe në kamerat e sigurisë së lokalit. Nga kqyrja e pamjeve filmike duket shtetasi Gëzim Kajno që, pas konfliktit fizik, ka një armë tip pistoletë në dorë, me qytën e së cilës godet në kokë dhe në fytyrë Kërtushën.

Nga goditja me qytë, pistoleta ka kryer qitje, nga e cila ka mbetur i plagosur në krah nipi i Gëzimit, Bledar Hajno. Më pas, konflikti shmangen nga objektivi i kamerës.

Në një moment të dytë, personat në konflikt shfaqen sërish në kameran e sigurisë, kësaj radhe pranë një taksie, ku Kërtusha po tentonte të hipte dhe duket që ishte i plagosur. Tek dera e taksisë, shtetasit Gëzim dhe Bledar Kajno e arrijnë sërish dhe e godasin sërish, duke tentuar ta nxjerrin nga taksia. Megjithatë, taksia është nisur së bashku me Kërtushën drejt spitalit të Durrësit, ku ka mbërritur i vdekur me një plumb në pjesën e kraharorit.

Pas vrasjes, fillimisht është arrestuar shtetasi Bledar Kajno dhe një ditë më pas, Gëzim Kajno dhe të dy personat dyshohen për “vrasje me dashje” në bashkëpunim dhe “armëmbajtje pa leje”.

Tv Klan