Është gjetur arma me të cilën dyshohet se është ekzekutuar Pëllumb Meta në Shënavlash të Durrësit. Sipas gazetarit të Klan News Besar Bajraktaraj arma është gjetur në një kanal pranë fshatit ku banonte i ndjeri.  

Kujtojmë se ngjarja tronditëse u raportua mëngjesin e sotëm. Sipas policisë, dyshohet se autorja e vrasjes së 50 vjeçarit është vajza e tij 19 vjeçare Hygerta Meta. Ka qenë kjo e fundit ajo që pas zbulimit të trupit të pajetë, ka pohuar se e kishte vrarë të atin, pa ndihmën e askujt tjetër. Hygerta pretendon se ishte vetëm në shtëpi kur e vrau të atin me pistoletë, në trupin e të cilit paraprakisht raportohet të jenë gjetur 4 plagë. Vrasja sipas 19-vjeçares ndodhi në katin e 2 të shtëpisë. Më pas ajo e mori trupin e pajetë të të atit, e mbështolli me qese dhe e tërhoqi deri në oborr. Motivi sipas saj lidhet me faktin se ai donte ta fejonte pa dëshirën e saj.

Më herët, e reja ka dhënë para hetuesve disa versione sa i takon armës së zjarrit. Një herë ka thënë se e ka hedhur në det, e një herë tjetër se e ka groposur. Gjetja e armës në këtë kënetë shton dyshimet se Hygerta nuk veproi e vetme, duke qenë se vendi nuk përputhet me asnjë nga deklarimet e mëhershme. (Lexo më shumë)

E gjithë ngjarja në fjalë nisi 10 ditë më parë. Ishte djali 25-vjeçar i cili shkoi në policinë e Durrësit, për të kallëzuar largimin e të atit.

4 ditë pasi mori denoncimin, policia gjeti fillimisht makinën e 50-vjeçarit të parkuar në aksin rrugor Shënavlash-Sektor Rinia. Në këtë pikë, nën dyshimet se Pëllumb Meta ishte zhdukur policia intensifikoi hetimet dhe arriti të siguronte prova që në fakt treguan se ai ishte vrarë.

Policia thotë se vijon hetimet e thelluara për të identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore persona të tjerë që mund të jenë të implikuar në këtë ngjarje. Për këtë arsye në polici janë shoqëruar bashkëshortja dhe 3 fëmijët e tjerë të çiftit, nën dyshimin se mund të jenë të përfshirë, apo të kenë dijeni për këtë ngjarje./tvklan.al