Një ngjarje shumë e rëndë u zbulua këtë të premte në Durrës. Pëllumb Meta u gjet i vdekur dhe i varrosur në kasollen e bagëtive pranë banesës së tij. Autore e dyshuar e kësaj ngjarje është vajza e tij, Hygerta Meta që është vënë në pranga.

Ajo ka deklaruar se e ka kryer krimin pas konflikteve me babain dhe faktin se ai donte ta fejonte pa dëshirën e saj. Për të zbuluar më mirë rrethanat e ngjarjes, policia e mori 19-vjeçaren për rreth 4 orë në banesë ku ka dhënë deklarime më të qarta mbi ngjarjen.

Gazetari Besar Bajraktaraj ka raportuar se pas vajzës, edhe gruaja e viktimës është dërguar në banesë për të dhënë deklarime në lidhje me ngjarjen. Dyshimet janë se ajo ka bashkëpunuar me vajzën.


“Më vonë ka mbërritur edhe gruaja e viktimës, pra nëna e vajzës 19-vjeçare, një nga personat e tjerë të dyshuar si bashkëpunëtorë deri në këto momente. Policia ka dyshime të arsyeshme që mund të kenë ndihmuar, megjithatë nuk ka prova ende për përfshirjen e saj apo të djalit tjetër që ndodhet në komisariat, aty ku i është marrë një deklarim”, raportoi gazetari.

Grupi hetimor ka përfunduar veprimet dhe kërkimet në banesë. Ata u fokusuan në zbulimin e armës së krimit, por nuk rezultuan të suksesshme.

Për më shumë informacione mbi këtë ngjarje klikoni KËTU

/tvklan.al