Drejtuesi politik i qarkut të Elbasanit për PS-në, Taulant Balla ka reaguar pas ngjarjes së rëndë që ndodhi këtë të mërkurë në Elbasan, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani.

Balla tha se në Elbasan kanë zbarkuar furgona të PD-së me paramilitarë të armatosur që kanë terrorizuar banorët. Po ashtu ai u shpreh se reagimi i Gazment Bardhit pas vrasjes së Xhuvanit ishte i turpshëm pasi përdhosi personin që humbi jetën duke folur pak metra larg trupit të viktimës. Drejtuesi politik i selisë rozë për Elbasanin u bëri thirrje qytetarëve për qetësi dhe të mos bien pre e provokimeve.

Sot në Elbasan ka ndodhur një ngjarje tepër e rëndë për të cilën është informuar mbarë publiku. Prej momentit të parë sapo jam njoftuar për ngjarjen jam munduar të marr të gjithë informacionin e domosdoshëm sikurse prej momentit të parë kam njoftuar të gjitha organizatat e PS-së në qarkun e Elbasanit për të ruajtur qetësinë dhe për të mos rënë pre e asnjë lloj provokimi, provokime që kanë ardhur duke u përshkallëzuar dhe kanë një autorësi të vetme, kanë PD-në, por edhe Presidentin. PD-në që jeni vetë dëshmitarë që nga ngjarja e shëmtuar e Ditës së Verës dhe për të ardhur sot në këtë ngjarje tepër të rëndë, ku ka humbur jetën një qytetar i Elbasanit, është plagosur një punonjëse e policisë dhe persona të tjerë. Erdha këtu për të parë nga afër shëndetin e punonjëses së policisë që e ka hequr qafe më të keqen dhe është në kujdesin e mjekëve. Besoj që jeni të gjithë dëshmitarë që sot në mëngjes kanë zbarkuar furgona me paramilitarë të PD-së që kanë terrorizuar banorë të zonave të ndryshëm, siç kanë ndodhur sot dhe dëshmitarë janë banorët e lagjes “5 Maj”. Autorësinë duhet t’ia lemë organeve ligjzbatuese për të çuar para drejtësisë vrasësin dhe porositësit e vrasjes. Furgoni i lobuar nga PD-ja ka mbajtur brenda persona të armatosur.  Ajo që më vjen keq është reagimi i turpshëm i listës së PD-së në Elbasan që përdhosi personin që humbi jetën vetëm pak metra larg viktimës. Thirrja ime për të gjithë qytetarët e Elbasanit. Është ju lutem, ju jeni njerëz që dini të vlerësoni rëndësinë e këtij momenti dhe nuk duhet të bini nën provokime. Leksioni që duhet t’i japim këtyre paramilitarëve është t’i dënojmë me votën më 25 Prill. Thirrja ime është që të bashkohemi më shumë se kurrë për të dënuar me votë këta paramilitarë”, tha Balla.

Gazment Bardhi reagoi më herët lidhur me ngjarjen e rëndë që ka ndodhur sot në Elbasan. Në një reagim të shkurtër për mediat, Bardhi tha se këta persona janë shtabi i vetëm elektoral i Ballës.

“Vendngjarjen e shikoni vetë, janë një grup personash shtabi i vetëm elektoral i Taulant Ballës në Elbasan”, u shpreh Bardh disa metra larg vendit të ngjarjes.

Pjerin Xhuvani u vra këtë të mërkurë pas një përplasjeje me armë që ndodhi në lagjen “5 Maji” të qytetit të Elbasanit. Nga ngjarja kanë mbetur të plagosur katër persona mes tyre edhe një police. Ndërkohë në polici është vetëdorëzuar autori i ngjarjes, Arbër Papleka, i cili ka deklaruar para autoriteteve se e ka kryer vrasjen në kushtet e vetëmbrojtjes. /tvklan.al