Policia e Tiranës ka arrestuar 42-vjeçarin Fabio Allushi, i shpallur në kërkim për vrasjen e 4 Tetorit në zonën e ish-bllokut.

Alushi ishte në kërkim prej më shumë se 2 muajsh, pasi dyshohet se ka marrë pjesë në përplasjen që çoi në vrasjen e Fabjan Gaxhës dhe plagosjen e Ervis Martinajt dhe Eljo Hatos. 42-vjeçari njihet si mik me Ervin Matën, dhe Mevjol Bilon, komandoja që dyshohet se ka qëlluar në drejtim të grupit të Martinajt.  Mbi 42-vjeçarin rëndojnë akuzat e vrasjes në rrethana cilësuese, armë mbajtjes pa leje, vrasjes së kryer në bashkëpunim dhe vrasje e mbetur në tentativë.

Personi i fundit që është shpallur në kërkim si i përfshirë në ngjarjen e 4 Tetorit është Eldi Dizdari.  Sipas hetimeve të prokurorisë Dizdari dyshohet se është personi i cili ka patur fillimisht konfliktin me Ervin Matën. Hetuesit kanë dyshime se sherri mes të dyve ka nisur disa orë para, jashtë lokalit ku ndodhi përplasja me armë. Më pas të gjithë personat janë takuar në lokal për tu sqaruar. Por takimi ka nisur me një sherr verbal mes palëve dhe me pas ka degjeneruar në përdorimin e armëve. Të arrestuar deri në këto momente për këtë ngjarjen janë Ervis Martinaj dhe Eljo Hato, për të cilët gjykata ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg. Në kërkim vazhdojnë të jenë Ervin Mata, dhe komandoja Mevjol Bilo.

Tv Klan