Policia ka arrestuar një 37-vjeçar i cili është përfshirë në ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së enjtes në zonën e ish-bllokut në Tiranë, ku një person u vra dhe dy të tjerë u plagosën.

Geldo Hoti është ndaluar në tentativë për të kaluar në Greqi në pikën kufitare të Kakavisë.

37 –vjeçari, sipas grupit hetimor, ka qenë në lokal në kohën kur ka ndodhur sherri dhe dyshohet se ka qëlluar me pistolete, por nuk është e qartë nëse janë plumbat e tij që i morën jetën Fabian Gaxhës dhe plagosen Ervis Martinin dhe Eljo Haton.

Sipas policisë, 11 gëzhojat e gjetura, janë qëlluar nga dy armë të ndryshme. Burime të policisë thonë se Hoti është pjesë e grupit të tre personave të shpallur në kërkim, Ervin Mata, Merviol Bilo dhe Fabiol Alushi. Policia dyshon se arma tjetër mund të jetë përdorur nga Merviol Bilo, efektivi xhenio i Forcave Speciale Komando.

Burime nga grupi hetimor thane për Tv Klan se është konfirmuar se Bilo nuk e ka pasur armën e shërbimit me vete në kohën e ngjarjes, por në repart, në Zall Herr dhe ka dyshime se ai ka pasur një armë tjetër. Dy personat e plagosur, që janë në gjendje arresti, deri tani nuk kanë dhënë informacione të vlefshme për hetimin.

Prokuroria dhe policia e Tiranës po vijojnë hetimet për të zbardhur rolin e personave te përfshire në konfliktin e armatosur dhe motivin e ngjarjes, që paraprakisht dyshohet se ka ardhur pas një sherri për këngëtaren Elvana Gjata.

Ajo është një ndër personat e pyetur në polici, por policia ka qenë e rezervuar në deklarimet e dëshmitarëve, për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor.

Hato që u arrestua duke u larguar në Greqi dhe 3 të shpallurit në kërkim akuzohen për vrasje në rrethana cilësuese  ndaj dy ose më shumë personave dhe armëmbajtje pa leje. Ndërsa është e paqartë se çfarë akuzash do të paraqesë prokuroria ndaj dy personave të plagosur, që janë në gjendje arresti.

Tv Klan